Vetëm pak ditë pas megaoperacionit, ku u vunë në pranga 40 persona që akuzohen se dërgonin në mënyre të kundraligjshme shqiptarë përtej oqeanit, mësohet emri i kreut të grupit kriminal. ABC News ka mësuar se banesa e tij, që shërbente si laborator për falsifikim dokumentash survejohej prej 3 muajsh.
ABC News ka mësuar përmes burimeve nga grupi hetimor i dosjes se, drejtuesit kryesorë te grupit që merrej më këtë aktivitet të paligjshëm ishin Eno Muçollari dhe bashkëshortja e tij, Lirije Muçollari. Brenda banesës së tyre te “Kodra e Diellit” në kryeqytet, ata kishin ndërtuar një tjetër laborator, ku falsifikonin dokumenta.
Apartamenti mësohet se është mbajtur në vëzhgim për më shumë se 3 muaj. Burime nga hetimi thanë se, Lirije Muçollari kishte udhëtuar në 16 janar drejt Italisë dhe gjatë kthimit 4 ditë më vonë, në bagazh iu gjetën kartona me material plastik, të ngjashme me ato që përdoren për prodhimin e kartave te identitetit dhe pasapartat biometrike.
Po ashtu, në funksion të zbardhjes së këtij trafiku, hetuesit kanë edhe biseda telefonike, si dhe përgjime audio e video të takimeve mes anëtarëve të grupit krimial të goditur disa ditë më parë. Personat e përfshirë në trafikun e qenieve njerezore, pasi dublikonin pasaportat, vidhnin identitetet dhe më pas vendosnin fotot e personave të interesuar për t’u larguar në SHBA, Kanada apo në Britani.
Hetimet kanë nisur rreth 1 vit më parë, ndërsa përveç policisë shqiptare, ky megaoperacion u asistua edhe nga oficerë të SHBA-së dhe Spanjës. Aksioni u krye paralelisht në Tiranë, Lezhë, Kukës, Dibër, Shkodër dhe Korçë, ku janë arrestuar 40 anëtarë të përfshrirë në këtë grup të strukturuar kriminal./abcnews.al