Nano: Çështja është kthyer në shumë politike, Teatri duhet të shembet, artistët të ngrenë zërin!

schedule21:58 - 15 Maj, 2020

schedule 21:58 - 15 Maj, 2020

Në monologun e kësaj të premteje gazetari Mustafa Nano foli për çështjen e teatrit Kombëtar i cili ka ngjallur përsëri debat dhe ka shkaktuar reagime të ashpra nga të dy krahët, si nga artistë edhe nga politika shqiptare.

Për gazetarin Nano ajo godinë duhet të prishet dhe të ndërtohet një ndërtesë e re, që sipas tij , të jetë dinjitoze.

Artistët sipas tij ndajnë të njëjtin mendim, pra që Tirana duhet të ketë një teatër të ri, por se tashmë cështja është bërë shumë politike dhe ka shkaktuar diskutime.

“Kam qenë me idenë që Tirana dhe Shqipëria meriton një teatër modern kombëtar dhe për këtë arsye kam qenë me idenë që kjo ndërtesë që sipas meje është karakatinë, të prishet”, thotë Nano.

Gazetari përveçse mendon se Teatri duhet të shembet e ti lërë vendin një godine të re moderne ka edhe një thirrje për të gjithë artistët që sipas tij ndajnë të njëjtin mendim me të por se nuk kanë guxim ta shprehin qëndrimin e tyre. Sipas Nanos, këta artistë duhet të ngrenë zërin dhe të kërkojnë një teatër të ri.

Monologu i plotë:

Është rihapur edhe njëherë në pikun e krizës së covid-19 debati mbi ndërtesën e Teatrit Kombëtar. Dua të marr edhe unë pjesë në këtë debat. Pasur mundësi të marr pjesë edhe më herët më përpara, nuk e kam bërë sepse e kam bërë në mënyrë sporadike, episodike. Dua ta them njëherë e mirë qëndrimin tim i cili ka qenë i qartë që në krye të herës.

Unë kam qenë kundër kullave, kam qenë kundër idesë që teatri kombëtar të ndërtohet nga një biznesmen që në këmbim do të merrte të drejtën për të shfrytëzuar një truall të tërë në atë pjesë të Tiranës ku do të ndërtohen gjashtë apo shtatë gradacela. Kam qenë me idenë që Tirana dhe Shqipëria meriton një teatër modern kombëtar dhe për këtë arsye kam qenë me idenë që kjo ndërtesë që sipas meje është karakatinë.

Është një ndërtesë jo e bukur, për mua e shëmtuar, duhet prishur dhe në vend të saj duhet ndërtuar një tjetër. Kam dëgjuar me vëmendje shumë kolegë të mi, miq të mi, intelektualë publikë, një pjesë e tyre kanë demonstruar dhe ex officio për shkak të profesionit që ushtrojnë kanë kompetencën dhe ekspertizë më të madhe se timen në këtë lëmë dhe i kam dëgjuar me disponimin për të hapur trurin dhe për ti bërë të mijat idetë e tyre mirëpo nuk më kanë bindur.

Maks Velo e kompani, që kanë këmbëngulur fort në qëndrimet e veta të paktën mua nuk më kanë bindur. Unë vazhdoj të  mbetem me idenë që në atë vend duhet ndërtuar një teatër i ri kombëtar dhe shyqyr që jemi në rrethanën që është hequr dorë njëherë e përgjithmonë nga ideja për të ndërtuar kulla. Kështuqë unë jam më i legjitimuar se kurrë në qëndrimin tim. Na duhet një teatër i ri kombëtar.

Unë supozoj që në tiranë dhe në Shqipëri ka shumë njerëz të majtë të cilët për arsye nga më të ndryshmet për shkak të ndjeshmërisë që mund të kenë për shkak të historisë, të nostalgjisë, për shkak të respektit që mund të jenë për gjërat e vjetra, ka shumë arsye që shumë të majtë do donin që ajo ndërtesë të mos prishej ashtu siç ka shumë të djathtë që për arsye krejt të tjera që në këtë rast puqen me të miat që duan një teatër dinjitoz, modern në qendër të Tiranës sepse Tirana nuk ka një teatër, i vetmi kryeqytet i Europës që nuk ka një ndërtesë të bukur në qendër të Tiranës.

Edhe këta do donin ashtu si dhe unë që të prishej ajo ndërtesë dhe të ndërtohej një tjetër, mirëpo këta njerëz nuk kanë guxuar të shprehen deri më sot sepse qeverisa shqiptare në këtë moment është ndarë si me thikë.

Të djathtët janë me të djathtët, dhe të majtët me të majtët, çështja është bërë shumë politike, dhe është bërë politike për një numër arsyesh por arsyeja kryesore ka të bëjë me eksponentët me përfaqësuesit e aleancës për mbrojtjen e teatrit kombëtar të cilët gjatë gjithë kësaj kohe, kanë dy vjet e ca  që kanë qëndruar në komunikim me publikun.

Ata kanë bërë çmos ose janë dukur se kanë bërë çmos që ta shndërrojnë në një çështje politike dhe kjo gjë duket së pari tek gjuha që ata kanë përdorur në komunikimin publik, po e ilustroj me dy qëndrimet e tyre që kanë mbajtur pas takimit me kryetarin e opozitës Lulzim Basha.

Edmond Budina tha: Me ne nuk do të luajnë më se është e pamundur që në mënyrë paqësore ta ruajmë. Këta shpallën luftë dhe duan luftë. Kemi sinjale se do sulmojnë teatrin. Zjarri do të djegë shtëpitë e tyre. Thirrini mendjes, mos bëni marrëzira, nuk po mbrohet opozita po mbrohet kultura shqiptare.

Ndërsa një opinion tjetër nga Neritan Licaj: Një mesazh për kryeministrin e rraskapitur. Teatri është flamuri kuq e zi dhe kush mendon që luan me këtë flamur, luan me ekzistencën e popullit. Bujrum të përplasemi, o ti o ne o kryeministër i rraskapitur, të jesh i sigurtë që do të humbasësh.

Kjo është gjuha luftarake, që kanë përdorur jo vetëm dje por gjatë gjithë kohës. Gjatë gjithë kohës ne kemi dëgjuar shprehje të tilla, provoje ta bësh, këtu do jetë varri yt. Do ketë vëllavrasje, do ketë gjakderdhje. Kjo është një gjuhë e shëmtuar, parapolitike, një gjuhë paraurbane.

Këta e përmendin gjakun si pa të keq, si të bëhet fjalë për një arancatë. Nuk e përjashtoj që disa prej tyre të kenë qejf ta derdhin gjakun, rrugëve të Tiranës për këtë kauzë tek e cila ata besojnë. Po ç’kusur kemi ne të tjerët të shohim gjakun e tyre rrugëve të Tiranës, ne nuk e duam të shohim gjakun e tyre rrugëve të Tiranës.

Rrugëve të Tiranës duam të shohim ata vetë. Gjithë këto kohë, është dëgjuar në mënyrë të veçantë  vetëm aleanca për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar dhe është krijuar ideja që vetëm këta ekzistojnë, nuk ka të tjerë, kur vjen puna të diskutimi për Teatrin Kombëtar.

Nëse ka disa kokrra që janë kundër, që numërohen me gishtat e njërës dorë, këta janë njerëz të korruptuar, janë të ligj, janë të poshtër, nuk janë me flamurin kuq e zi, nuk janë me kulturën kombëtare, kjo është absurde, nuk qëndron as në qiell as në tokë.

Mua më rezulton që pjesa më e madhe e aktorëve nuk janë me ata por nuk flasin se mund të përplasen me një histeri që mund ta ketë burimin tek aleanca për mbrojtjen e teatrit kombëtar.

Unë u bëj thirrje të gjithë këtyre që kanë një qëndrim që nuk puqen me mendimin e aleancës për teatrin, nëqoftëse e kanë këtë qëndrim duhet ta ngrenë zërin dhe duhet ta thonë të tyren.

Unë u bëj apel ta bëjnë këtë gjë sepse nuk duhet të krijohet ideja e rreme që në gjithë këtë diskutim që të gjithë janë me aleancën kombëtare sepse nuk është e vërtetë.

Të paktën nga vëzhgimet e natyrës empirike më rezulton që të jenë në favor të prishjes së teatrit kombëtar dhe janë me idenë për ndërtimin e një ndërtese të re siç i ka hije Tiranës dhe siç e kanë të gjitha kryeqytetet e Europës./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!