A bën Lautaro Martinez për Barcelonën? Lionel Messi nxeh atmosferën

schedule10:40 - 15 Maj, 2020

schedule 10:40 - 15 Maj, 2020

Lionel Messi është gati për rinisjen e kampionatit dhe ndihet në formë. Sulmuesi argjentinas ka dhënë një intervistë për “Sport” dhe “Mundo Deportivo” dhe prek edhe temën e merkatos, duke pranuar që në këtë periudhë mund të mos ketë lëvizje si më parë. “Kur bëhet fjalë për transferimet, ka disa njerëz në klub që u është ngarkuar detyra për të blerë dhe ata vendosin atë që mendojnë se është më e mira për skuadrën.

Është e qartë se në këtë lloj situatë do ketë më pak lëvizje”, thotë fillimisht Messi, i cili më pas ngacmohet për Lautaro Martinez, sulmuesin e Inter që cilësohet si objektivi numër një i katalanase. “Pleshti” e vlerëson maksimalisht bashkëkombësin e tij, por thekson se nuk ka asnjë informacion nëse ka apo ka pasur bisedime për transferimin e tij.

“Nuk jam i sigurt nëse ka negociata apo ka pasur më parë për të, nuk ia kam idenë. E kam thënë edhe më parë që Lautaro është një sulmues mbresëlënës, sepse unë mendoj se ai është një lojtar i kompletuar: është i fortë, driblon mirë, mund të shënojë dhe di ta mbrojë mirë topin. Gjithsesi le të shohim se çfarë do të ndodhë me të dhe me emrat e tjerë që lakohen”, shprehet sulmuesi.

Më parë Messi është shprehur se kjo Barcelonë nuk e fiton dot Champions League. Me këtë nuk është dakord trajneri Quique Setien, por argjentinasi i rikthehet të njëjtit diskutim dhe sqaron. “Asnjëherë nuk kam dyshuar në skuadrën që kemi, si dhe asnjëherë nuk kam dyshuar që ky ekip mund ta fitojë titullin dhe Ligën e Kampioneve.

Por kjo jo duke luajtur sikur kemi bërë më parë. Të gjithë kanë mendimin e tyre dhe e respektoj. Mendimi im bazohet te fakti që unë kam luajtur në Ligën e Kampioneve çdo vit dhe e di që nuk është e mundur ta fitosh duke luajtur sikur po bënim ne. Ndoshta Setien është keqkuptuar”, mbyll Messi deklaratën e tij. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!