Policia e Tiranës ka vënë në pranga katër persona mes të cilëve dy janë shtetas të huaj të cilët transportonin emigrant klandestinë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Backlash” është bërë i mundur ndalimi i katër shtetasve dy të huaj dhe dy shqiptar, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin transportonin emigrant klandestinë nga zona e Korçës në Tiranë dhe më pas për në Mal të Zi, me qëllim destinacionin final një nga vendet e BE-së.
Ndër të tjera bëhet me dije se këtë shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kundrejt shpërblimit monetar, bënin transportimin e emigrantëve klandestinë të kombësisë siriane ose kombësive të tjera.
Njoftimi i policisë:
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Backlash”.
Goditet një tjetër rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt fitimit.
Arrestohen në flagrancë katër shtetas (dy të huaj dhe dy shqiptar), të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin transportonin emigrant klandestinë nga zona e Korçës në Tiranë dhe më pas për në Mal të Zi, me qëllim destinacionin final një nga vendet e BE-së.
Procedohen në gjendje të lirë, për kalim të paligjshëm të kufirit, dhe tre shtetas turq.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një automjet dhe katër aparate celular.
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vorë dhe Seksionin për Krimet Kompjuterike në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, finalizoi me sukses operacionin e koduar “BACKLASH”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
– K. D., 32 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë;
– A. M., 35 vjeç, banues në Tiranë;
– E. E., 22 vjeç, me shtetësi dhe kombësi siriane;
– A. I., 25 vjeç, me shtetësi dhe kombësi marokene;
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kundrejt shpërblimit monetar, bënin transportimin e emigrantëve klandestinë të kombësisë siriane ose kombësive të tjera (marokene, afgane, irakene) nga zona e Korçës në afërsi të kufirit të gjelbër me Greqinë, për t’i sjellë në Tiranë, ku pasi sistemoheshin fillimisht në dhoma me qira apo hostele në zonën e Laprakës, transportoheshin me automjete private drejt kufirit të gjelbër me Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Evropian.
Shtetasit E. E. dhe A. I. dyshohet se kishin rolin e organizatorit në këtë skemë trafikimi, duke u koordinuar me persona të tjerë të kombësisë siriane në Greqi dhe Siri, ku nëpërmjet aplikacioneve “Ëhatsapp”, “Messenger” etj, bënin koordinimin e lëvizjes së emigrantëve nga Greqia për në Shqipëri, duke angazhuar shtetasit shqiptar të arrestuar në këtë skemë, të cilët luanin rolin e transportuesit, përkthyesit dhe të personave që shpesh tërhiqnin paratë që transferoheshin nëpërmjet agjencive te transfertave monetare.
Gjithashtu u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit”, tre shtetas turq.
Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar një automjet dhe 4 aparate celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit, kryer në bashkëpunim”./abcnews.al