Lanë futbollin për arsye nga më të çuditshmet, 5 speciale në ABC News

schedule08:40 - 15 Maj, 2020

schedule 08:40 - 15 Maj, 2020

“Vendimi më i vështirë”, kështu shprehen shumë futbollistë, të cilët janë të detyruar të mbyllin kapitullin e futbollit të luajtur. Nuk ka rrugë tjetër. Gjithsesi ka edhe nga ata të tjerët, që e marrin këtë vendim sa hap e mbyll sytë. Janë lodhur dhe duan eksperienca të reja.

ABC News, në versionin online, njoftoi se do të sillte profilet e pesë futbollistëve, të cilët e kanë mbyllur me futbollin në moshë të re dhe për arsye që shumica mund t’i konsiderojë absurde. Vendimi i tyre. Ashtu e kanë parë të logjikshme dhe ashtu kanë vendosur.

I pari ishte Mario De Castro, i panjohur, por një personazh mjaft interesant, me 195 gola të shënuar në 100 ndeshje, ndërkohë që kishte refuzuar Brazilin në Botërorin e parë, atë të vitit 1930. Studenti i mjekësisë e la futbollin 26 vjeç dhe është një legjendë për Atletico Mineiro.

SPECIALE: Uniku Mario de Castro, goleadori me emrin fals që refuzoi Brazilin

E veçantë edhe historia e Hidetoshi Nakata, Beckhamit të Azisë, i cili e la futbollin për shkak se mendoi se kishin hyrë shumë para dhe nuk kishte më pasionin e mëparshëm. “Nuk u futa në këtë botë për para e famë”, deklaronte japonezi, i cili deri vonë ishte lojtari aziatik për të cilin ishin paguar më së shumti para për ta transferuar.

SPECIALE: “Çmenduritë” e Nakata, samurajit të Serie A që e lodhën milionat

Carlos Roa është mjaft i veçantë, pasi 29 vjeç e la përkohësisht futbollin, në kulmin e karrierës dhe kur e kërkonte Manchester United. Kaloi sëmundje të rënda, ndërkohë që fjalët e shumta për një apokalips në vitin 2000 e bënë që të kthehej në një besimtar dhe më pas mos të mos pranonte të luante të shtunave.

SPECIALE: Sëmundjet, apokalipsi dhe një kusht absurd: legjenda e Carlos Roa

Dy personazhet e fundit janë anglezë. I pari, Peter Knowles, një sulmues që mund të kishte arritur shumë, por një takim e bëri atë Dëshmitar të Jehovait dhe më pas kuptoi që nuk mund të ishte edhe besimtar, edhe futbollist profesionist. Në fushë tjetërsohej, nervat i kishte të shumta dhe zgjodhi qetësinë, që 24 vjeç.

SPECIALE: Historia unike e Peter Knowles, “ujkut” nevrik që la futbollin për Zotin

I fundit, David Bentley. Shumë talent, fitoi kombëtaren e Anglisë, por gradualisht nisi ta humbte dashurinë për futbollin. 29 vjeç e ndau mendjen dhe iu përkushtua familjes dhe biznesit. “Mund të nënshkruaja 3-4 kontrata të tjera, por nuk dua të luaj futboll vetëm pse më paguajnë”, tha në mbyllje të karrierës anglezi, i cili 15 minutat e fundit në fushë i kaloi duke ecur.  /abcnews.al

SPECIALE: Kur fundin e përrallës e shkruan vetë: Beckhami i ri që u “lodh” nga futbolli