Sot ishte një ditë mjaft e nxehtë në Shqipëri edhe pse qielli ishte me re. Temperatura ishte e lartë dhe ajri plot lagështirë duke na kthyr në mendje ditët e nxehta të verës.
Kështu për shembull, temperatura shënoi 34 gradë në Kuçovë dhe 35 gradë në Tiranë.
Sipas meteorologëve kjo situatë erdhi si pasojë e ndërhyrjes së rrymave të nxehta nga Saharaja, duke e cilësuar kështu si valën e parë të nxehtë të këtij viti.
Këto rryma do të vijojnë të qarkullojnë edhe ditën e nesërme.
Orët në vijim si dhe deri në mesditën e së premtes era e vrullshme jugore do të sjellë temperatura të larta dhe zagushi, pasi vranësirat shtresore do të mbeten prezente gjatë natës dhe mëngjesit të nesërm. Në mesditë, jugu i vendit parashikohet të shënojë vlerat më të larta të temperaturave.
Era do të humbë forcë mesditën e së premtes, po kështu dhe valëzimi në dete.
Temperaturat parashikohen në:
zonat malore 18º deri 30ºC
zonat e ulëta 21º deri 34ºC
zonat bregdetare 21º deri 31ºC