Maranelo e famshme i është kthyer punës. Ferrari vendosi të rinisë prodhimin në punishten e saj të dëgjuar në të gjithë botën, pasi më e keqja e koronavirusit kaloi. Tani edhe skuadra e Formula 1 ka të reja. Vetëm një ditë pas lajmit se katër herë kampioni i botës, Sebastian Vettel, do të largohet, vjen e reja se u gjet zëvendësuesi. I përzgjedhuri është spanjolli Carlos Sainz.
“Kokëkuqja” nuk vonoi ta njoftonte lajmin në faqen e saj zyrtare. “Skuadra e Ferrarit është e lumtur që të njoftojë se Carlos Sainz do të garojë për ekipin tonë në sezonet 2021 e 2022 të Kampionatit Botëror të Formula 1”, shkruhej në njoftim.
.@Carlossainz55 to race for Scuderia Ferrari Mission Winnow in 2021 and 2022https://t.co/XA3xLP0a77
— Scuderia Ferrari (@ScuderiaFerrari) May 14, 2020
Sainz nuk është një pilot edhe aq i ri, pasi ka 5 vjet në këtë Botëror, por nuk ka arritur të shkëlqejë për shkak se nuk ka pasur makinat më të mira. Spanjolli 25-vjeçar ka garuar në timonin e Toro Roso, Renault dhe McLaren së fundmi. Sezonin e ardhshëm do provojë Ferrarin.
Drejtori i italianëve, Matia Binoto, u shpreh i lumtur me ardhjen e tij. “Sainz ka treguar aftësi teknike dhe karakter të tillë që e bëjnë profilin ideal për të qenë pjesë e jona. Ai është jo vetëm një pilot shumë i mirë, por edhe një njeri i vërtetë skuadre. Kemi dyshen më të re të pilotëve në 50 vjet, një çift për ta ngjitur sërish Ferrarin në krye”.
I’m very happy that I will be driving for Scuderia Ferrari in 2021 and I'm excited for my future with the team.
I still have an important year ahead with McLaren Racing and I really look forward to go back racing with them this season. pic.twitter.com/UXkTzFzUgV
— Carlos Sainz (@Carlossainz55) May 14, 2020
Vetë Sainz nuk të ishte ndryshe, përveçse entuziast: “Jam shumë i lumtur që do të garoj për skuderinë e Ferrarit në 2021, i emocionuar për të ardhmen time në skuadër dhe i lumtur që më jepet mundësia për të qenë pjesë e këtij emri të madh. Unë kam ende një vit të rëndësishëm me Mclaren dhe jam i përkushtuar të jap maksimumin për ekipin tim këtë sezon”.
Sainz ka zhvilluar 102 gara në Formula 1, që nga viti 2015, duke fituar 267 pikë, e duke arritur një podium. Kjo ndodhi vitin e kaluar, në Çmimin e Madh të Brazilit, kur ai u nis nga vendi i 20-të dhe përfundoi i treti, në një nga pilotimet më të shkëlqyera në historinë e këtij sporti. /abcnews.al