Një sëmundje e rrallë inflamatore e lidhur me koronavirusin ka prekur dhjetëra fëmijë në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se sëmundja është përhapur dhe në pjesë të tjera të Evropës si Spanjë, Itali e Francë janë regjistruar raste të fëmijëve me sëmundjen që mund të shkaktojë simptoma të ngjashme me sindromën e shokut toksik.
Sipas raportve më të fundit rezulton se në Britaninë e Madhe deri më tani nga kjo sëmundje e rrallë janë prekur rreth 100 të mitur, disa prej tyre janë shëruar shpejt, por të tjerë janë shtruar në terapi intensive. Mjekët britanikë këtë shqetësim e kanë ngritur që në muajin prill, pasi 8 të mitur shfaqën ndërlikime, përfshirë një 14-vjeçar i cili humbi jetën.
Mjekët thanë se të tetë fëmijët kishin pasur simptoma të ngjashme kur ishin shtruar në spital, përfshirë temperaturë të lartë, skuqje të lëkurës, enjtje, sy të kuq dhe dhimbje të përgjithshme. Gjithashtu ekspertët po e përshkruajnë këtë si një fenoment të ri, të ngjashëm me sindromën e shokut Kavasaki, një sëmundje e rrallë që prek fëmijët nën moshën 5-vjeçare. Mes simptomave të saj janë skuqja e lëkurës, fryrje e gjëndrave në qafë dhe tharja e buzëve.
Por, sindroma e re po prek edhe fëmijë më të rritur, deri në moshën 16-vjeçare e një numër i vogël i tyre ka pasur ndërlikime serioze. Fakti që sindroma po ndodh në mes të pandemisë, sugjeron se dy gjërat mund të jenë të lidhura sipas ekspertëve të shëndetësisë në Londër. Ata thonë se kjo shpjegon gjithashtu se përse disa fëmijë janë prekur rëndë nga Covid-19, ndërsa shumica kanë qenë asimptomatikë.
Ndërkohë duket se guvernatori i Nju Jorkut, Andreë Cuomo, tha se të paktën 15 shtete në SHBA po shqyrtojnë raste të mundshme me sëmundjen e rrallë.
Siç thuhet, nga 82 fëmijë të diagnostikuar me sindromën inflamatore, 53 prej tyre rezultuan pozitivë ndaj koronavirusit apo kishin krijuar antitrupa për Covid-19. Ndërkohë në Itali deri më tani janë konfirmuar me këtë sëmundje 10 fëmijë.
Ndër të tjera ekspertët po punojnë për zbardhjen e plotë të simptomave të kësaj sëmundje pasi ajo mund të jetë një sëmundje që nuk prek vetëm fëmijët./abcnews.al