Milani la prapa eleminimin nga Europa dhe mbeti në pretendime për Championsin në Itali. Gjithsesi, fitorja ndaj Kievos në “San Siro” ishte tepër e vështirë.
Momenti i keq duhej kaluar.
Ky Milan i Xhenaro Gatuzos duhet të tregojë veten çdo javë, por të paktën ia doli ndaj Kievos dhe mbajti gjallë shpresat për Championsin.
Nuk ishte ndeshja më e vështirë e mundshme, përkundrazi, por për një ekip pa përvojë dhe me mjaft emra të rinj, nuk është kurrë e lehtë.
Për më tepër, Milani vinte në përballjen e Serisë A pas humbjes në Londër ndaj Arsenalit dhe eleminimit nga Liga e Europës.
Ndeshja e javës së 29-të doli shumë më e vështirë sesa pritej, edhe pse milanistët kaluan shpejt në epërsi me anë të Çalhanoglusë.
Gabimet në mbrojtje dhe loja me besim e veronezëve bënë që gjithçka të përmbysej në “San Siro”.
Futbolli e tregoi gjithë anën e tij të pabesë kur miqtë ndryshuan ndeshjen në vetëm 5 minuta, aq i plotë ishte kombinimi i reagimit të tyre me krizën momentale të vendasve.
Stepinski e Ingleze ishin autorët e golave vërtet të bukur, dhe skuadra e Gatuzos u vu edhe një herë në provë.
Për fatin e tifozëve, testi u kalua, madje në favor të Milanit ishte edhe teknologjia që la në fuqi golin e barazimit të shënuar nga Kutrone, të cilësuar fillimisht si pozicion jashtë loje.
Pas shifrave 2-2, milanistëve iu kthye besimi dhe logjikshëm edhe goli i Andre Silvës.
Sulmuesi portugez, u kthye në vetëm dy ndeshje, nga një lojtar në krizë, në një njeri vendimtar për fitoret.
Milani ka tani 50 pikë, duke mos u shkëputur nga pretendentët e tjerë për në Ligën e Kampionëve./abcnews.al