Delma Muça është futbolliste e KF Teuta dhe njëherazi pjesëtare e kombëtares U-17. Adoleshentja, e cila ishte pjesë e paketës financiare të ndihmës që akordoi FSHF në këtë situatë të vështirë të shkaktuar nga pandemia COVID-19 ka bërë një zgjedhje frymëzuese.
Delma ka vendosur të dhurojë shumën e përfituar për të ndihmuar tre familje në nevoje me disa pako ushqimore, për të lehtësuar sado pak vështirësitë në të cilat gjenden.
“Përshëndetje, unë jam Delma Muça, një vajzë 15-vjeçare nga qyteza e Vorës, jam futbolliste e Teutës dhe kombëtares së U-17. Në këto kohë të vështira që po kalojmë nga pandemia, Federata Shqiptare e Futbollit na dha një pagesë prej 30 mijë lekësh të reja dhe unë vendosa që këtë bonus ta dhuroj për familjet në nevojë.
Këtë nismë sigurisht e mora falë mbështetjes së FSHF dhe Presidentit të saj Armand Duka, dhe gjithashtu familjes sime që më përkrahu në këtë nismë. I ftoj të gjithë, që të bëjnë bamirësi, pasi jemi edhe në muajin e shenjtë të Ramazanit. Secili prej nesh, sipas mundësive mund të bëjë dikë të lumtur”, përfundon Muça. /abcnews.al