Diego Armando Maradona, Bruno Giordano dhe Carnevale, formuan një ndër treshet e sulmit më të mira në historinë e Serie A, gjatë viteve ’80. Tifozët napolitanë e quanin këtë treshe “Ma-Gi-Ca”, pasi me të vërtetë ishte magjike!
Giordano aktivizohej për Lazion dhe Maradona, e dëshironte me çdo kusht te Napoli. Madje, legjenda argjentinase ka zbuluar dhe mënyrën si ndikoi te transferimi i Giordanos te Napoli.
“Po luanim kundër njëri-tjetrit në turin e dytë të Kupës së Italisë. Lazio po ekzekutonte një goditje këndi dhe unë iu afrova Giordanos, duke i thënë: ‘Transferohu te Napoli, eja të luajmë së bashku. Më thuaj sa paguhesh, do t’i them presidentit Ferlaino’. Ai më thoshte që isha i çmendur, por në fund gjithçka shkoi ashtu siç doja unë”, tha mes të tjerash Maradona./abcnews.al