Presidenti Ilir Meta ishte folësi kryesor në Panelin e veçantë dedikuar Ballkanit në Forumin e 6-të Global të Baku-së. Kreu i shtetit nënvizoi se projekti që i bashkon është integrimi në Bashkimin Europian.
Eshtë dita që Presdenti Ilir Meta të thotë fjalën e tij në forumin Global të Baku-së. Pavarësisht ndasive dhe konflikteve të së kaluarës, një projekt i bashkon me vendet e tjera të Bashkimit Europian.
“E ardhmja e përbashkët e qytetarëve tanë në Ballkan, varet nga vetë vendet tona, nga aftësia jonë për t’iu përgjigjur sfidave të së ardhmes me më shumë zhvillim dhe prosperitet për popujt tanë”, nënvizoi Presidenti Meta.
Gjithashtu, Presidenti Meta theksoi se “projekti europian, pa zgjerimin e plotë të BE-së në rajonin e Ballkanit, është një punë e papërfunduar.
“Paqja, stabiliteti dhe siguria e rajonit të Ballkanit nuk mund të merret e mirëqenë. Rajoni ynë në të shkuarën ka përjetuar luftra të përgjakshme sa herë që ka shërbyer si fushë beteje për interesat e fuqive të mëdha”, tha Meta.
Duke iu referuar çështjeve të sigurisë, Presidenti Meta, nënvizoi se zgjerimi i NATO-s me vende si, Mali i Zi dhe potencialisht Maqedonia, dëshmon për një vullnet dhe mbështetje solide e të qartë të Aleancës dhe veçanërisht të SHBA-së për rajonin e Ballkanit.
Presidenti Meta nënvizoi në fjalën e tij se fatkeqësisht, sfidat e përditshme ekonomike të vendeve tona në epokën aktuale të globalizmit po frymëzojnë valë të reja të emigrimit masiv drejt BE-së, sidomos mes të rinjve të kualifikuar.
“Kjo “hemoragji e trurit” drejt Europës po krijon pasoja të shqetësuese për të ardhmen e shoqërive tona”, theksoi Presidenti i Republikës.
Lidhur me zhvillimin e rajonit, Presidenti Meta, vlerësoi se Ballkani ka qënë ndër shekuj dhe do të jetë “nyjë lidhëse” e Lindjes me Perëndimin.
“Në kohën e globalizimit, suksesi i ekonomive tona do të garantohet kur tregjet rajonale të integrohen shpejt dhe kur investimet e huaja nuk njohin kufij dhe barriera artificiale. Në kushtet e një tregu ballkanik dhjetra milionësh konsumatorë, nuk duhet të humbasin energji për tu përplasur me njëri-tjetrin, duke fragmentizuar tregun dhe duke dobësuar ekonomitë tona. Konkurrencën nuk e kemi me njëri-tjetrin, apo brenda rajonit tonë, por me kohën dhe sfidat e globalizimit”, theksoi Presidenti Meta.
Presidenti Meta shprehu gjithashtu bindjen se vendet e Ballkanit nuk do të dëshironin të ishin “protagonistë” në “fushën e re të shahut gjeopolitike”, ku përfitimet e shpejta ekonomike të momentit mund të rrezikonin paqen, stabilitetin dhe të ardhmen e shoqërive tona. Destinacion final i vendeve të Ballkanit është BE./abcnews.al