“Keqardhje, bëni namin vetëm në TV! Hallet e futbollit janë të tjera”

schedule13:59 - 11 Maj, 2020

schedule 13:59 - 11 Maj, 2020

Sot është mbajtur Asambleja e Përgjithshme e FSHF-së, aty ku u diskutuan disa tema dhe u morën vendime të ndryshme. Andi Lilës nuk i kanë pëlqyer shumë gjëra që ndodhen. Kryetari i Sindikatës së Futbollistëve Profesionistë Shqiptarë (SFPSH), ka shkruar një koment të gjatë, aty ku nuk mungojnë disa pyetje për Enkelejd Alibeajn, Drejtori i Departamentit Juridik të FSHF-së

Me keqardhje të thellë ndoqa sot punimet e Asamblesë së FSHF-së. Kjo jo vetëm për mënyrën e organizimit por edhe për disa nga vendimet që kjo Asamble mori. Më erdhi keq për Kamzën, që tani nuk është anëtare e Asamblesë dhe rrjedhimisht as stadium nuk duhet te ketë.

Më erdhi keq që në asnjë moment në këtë Asamble nuk u përmend se Sindikata e Futbollistëve Shqiptare ka kërkuar nisjen e bisedimeve për kontratën kolektive. Më erdhi shumë keq që as Drejtori i Departamentit Juridik të FSHF-së, z.Alibeaj, megjithëse ka një kopje të kontratës kolektive, nuk tha asnjë fjalë për të.

LEXO EDHE: Votime online, projekte dhe ngacmime: Gjithçka nga Asambleja e pazakontë e FSHF

Sot kam disa pyetje për ju Z.Alibeaj: Këto ndryshime që ju propozuat dhe Asambleja i miratoi, kujt i shërbejnë? Përfaqësuesit e futbollistëve në këto komisione, përsëri FSHF-ja do t’i caktojë.

Z.Alibeaj, si jurist me eksperiencë që jeni, a mund të më thoni, edhe publikisht, se kontrata kolektive e propozuar nga ana e Sindikatës, është në të mirë të futbollit apo e dëmton atë?

Z.Alibeaj, ju që vini nga radhët e të persekutuarve, a mund të më thoni se cilët janë më të persekutuarit në futbollin shqiptar?

Më erdhi shumë keq që në asamblenë e FSHF-së, aty ku duhet të qahen edhe hallet e futbollit, asnjë nga klubet nuk flet ndërsa në studio televizive bëjnë namin.

Të nderuar presidentë dhe përfaqesues të klubeve, nëse nuk diskutuat sot për vështirësitë reale financiare që po kaloni, për penalizimet që keni marrë nga arbitrat, për reformën ekonomike në sport, e cila ka ngecur, apo për privatizimin e klubeve në varësi të Bashkive, të cilat janë hallet e vërteta të futbollit, atëherë nuk keni të drejtën morale të ankoheni as në studio televizive dhe as në qeveri.

Dhe gjëja e fundit për të cilën më erdhi keq ishte fakti se gjithmonë votuan pro 99.99 % e anëtarëve të Asamblesë. Më vjen shumë keq ta besoj se Asambleja e FSHF-së do të ketë votim real vetëm kur zgjidhet Presidenti dhe Komiteti Ekzekutiv, votim për interes individual. Ndërsa kur votohet për futbollin, votohet sikur në Shqipëri futbolli nuk ka asnjë problem”, përfundon komenti i Andi Lilës. /abcnews.al