Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me gazetarët për të folur për gjendjen ekonomike në vend.
Sipas kreut të PD vendi po shkon drejt një krize të thellë, ku pandemia e ekonomisë po i zë vendin pandemisë së koronavirusit.
Basha tha se Shqipëria ka bërë hapa pas në krahasim me Serbinë dhe Kosovën.
“Një problem që po prek të gjitha familjet shqiptare është pandemia ekonomike, e cila po i zë vendin pandemisë së koronavirusit. Këto dy muaj na janë dukur shumë të gjatë, varfëria ka qenë edhe përpara dy muajve por është thelluar këto dy muaj.
Kërkuam që krahas masave për sigurinë shëndetësore të merrshin urgjentisht masat për ekonominë. Shqipëria në këto vite ka bërë pas. Vetëm para pak vitesh, Shqipëria dhe Serbia kishin të njëjtin borxh publik, 70% të PBB. Vetëm për gjatë këtyre 8 javëve sipas tatimeve, Shqipëria ka humbur mbi 60 mijë vende pune, por shifra mund të jetë 2 herë më e lartë se kaq. Sot Shqipëria vazhdon ët ketë një borxh të lartë që përllogaritet në 84%, Serbia ka shkua në 54.6%.
Le të marrim Kosovë, ka shënuar 6 mijë vende të reja pune, vetëm sipas tatimeve ne kemi humbur 10 herë më shumë.
Jemi në këtë situatë se taksat e shqiptarëve nuk kanë shkuar për të mbështetur biznesin, për të stimuluar ekonominë por kanë shkuar në xhepat e oligarkëve. Deri dje thesari shkonte 41.5 milion euro, kaq është shuma totale që ka dhënë Edi Rama për shqiptarët.
Edhe gjatë pnademisë sikundër para pandemisë qeveria Rama nuk ka hequr dorë nga vesi për të vendosur interesat e oligarkëve përpara interesit të qytetarëve shqiptare. 5 vetë kanë të drejtë të marrin frymë ekonomikisht sipas Edi Ramës. Si pasojë e kësaj sjellje mund të shihni cili është realiteti konkret i atyre që për 7 vjet kanë paguar taksa”, tha Basha.
Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët kreu i demokrateve, Lulzim Basha vijoi akuzat kundër qeverisë për menaxhimin e situatës por edhe për vendimin e fundit që ajo ka marrë për kalimin e truallit të Teatrit Kombetar në pronësi të bashkisë Tiranë.
“Me mijëra qytetarë që kanë humbur vendet e punës çfarë do të ndodhë. Pas 31 majit. Shumica e lokaleve nuk kanë hapësira jashtë dhe përjashtohen nga aktiviteti, po me kreditë, po ata që nuk kanë përfituar asgjë?
Gjendja është dramatike, bizneset po shkojnë drejt falimentimit. Faturat e energjisë dhe energjisë, ju shkojnë prapë, asgjë nuk ndryshuar. Ende asnjë masë për fermerët, sot janë në krizën më të thellë që mbajnë mend.
Qeveria nuk ka asnjë plan. Në kulmin e kësaj krize, mbrëmë brenda natës morën vendimin dhe e botuan për të grabitur Teatrin Kombëtar.
Për të marrë vendimin për të mbështetur shqiptarët iu deshën dy javë, dhe dy javë për ta botuar në Fletoren Zyrtare, zgjaten për të dhënë ndihmë, por kur vjen puna për të grabitur bëhet brenda natës”, tha kreu i PD./abcnews.al

