Pasi Ministria e Arsimit vendosi që të shtynte datën e zgjedhjeve në Universitet për Rektor dhe anëtarë senati, ka reaguar Partia Demokratike.
Përmes një mesazhi drejtuar mediave, selia blu thekson se tërheqja e qeverisë nga krimi zgjedhor i mbajtjes së zgjedhjeve pa zgjedhës në arsimin e lartë është një betejë e rëndësishme e fituar nga pedagogët dhe studentët, me mbështetjen e opozitës.
Sipas PD-së, Rama po synonte që permes një procesi të paligjshëm dhe absurd, si zgjedhjet ne Universitete, të merrte sipas tyre nën kontroll edhe arsimin e lartë përmes ushtarëve të tij dhe të organizatave kriminale.
Në një reagim në Facebook, ministrja e Arsimit Besa Shahini i është përgjigjur Partisë Demokratike duke i quajtur absurde.
“Deklaratat e PD-së për “beteja” opozitare janë absurde. Në vend të sajimit të kauzave të paqena, do ndihmonte shumë politikëbërjen arsimore sikur energjitë opozitare të kanalizoheshin në kauza reale që do të përmirësonin cilësinë dhe menaxhimin në arsim”.
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË
Tërheqja e qeverisë nga krimi zgjedhor i mbajtjes së zgjedhjeve pa zgjedhës në arsimin e lartë është një betejë e rëndësishme e fituar nga pedagogët dhe studentët, me mbështetjen e opozitës. Me një proces të paligjshëm dhe absurd, Edi Rama synonte të merrte nën kontroll edhe arsimin e lartë përmes ushtarëve të tij dhe të organizatave kriminale.
Rekordet e Edi Ramës me arsimin e lartë janë të njëjta me rekordet e tij për zgjedhjet. Kur nuk i fiton dot, përdor çdo mjet të pistë për pushtetin e tij. Mbajtja e zgjedhjeve në arsimin e lartë pa pedagogë dhe studentë, në kulmin e masave të jashtëzakonshme, nuk ndryshon nga akti i tij kriminal i 4 viteve më parë, kur tentoi të kapë Universitetin e Tiranës përmes Emiljano Shullazit.
Duke respektuar autonominë e universiteteve, Partia Demokratike nuk ndërhyn në zgjedhjet e tyre, por sigurojmë studentët dhe pedagogët se do të vazhdojmë të jemi në krah tyre dhe do ta ngrejmë zërin për çdo shqetësim të arsimit të lartë.
Partia Demokratike dënon presionin dhe shantazhin e ushtruar gjatë këtyre ditëve ndaj pedagogëve dhe studentëve dhe paralajmëron Edi Ramën dhe veglat e krimit të organizuar brenda arsimit të lartë që të mbajnë larg duart nga Universitetet.
Edi Rama dhe Besa Shahini duhet të kenë të qartë se askush nuk mund të cënojë dinjitetin e pedagogëve dhe studentëve shqiptarë. Askush nuk mund të urdhërojë zgjedhje pa pedagogë dhe pa studentë. Askush nuk mund të injorojë vullnetin e tyre, për një proces të rregullt dhe ligjor të zgjedhjeve në Universitete./abcnews.al