Alibeaj: Qeveria i mashtroi, 800 naftëtarët e Ballshit nuk e morën pagën e premtuar

schedule17:25 - 7 Maj, 2020

schedule 17:25 - 7 Maj, 2020

Ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj në një deklaratë për mediat mesditën e kësaj të enjtjeje është shprehur se naftëtarët e Ballshit janë prova më e mirë e mashtrimit të qevirisë në këtë kohë pandemie.

Alibeja në deklaratën e tij është shprehur se 800 punëtorët nuk morën pagën e premtuar, pasi Rama paguan klientët dhe oligarkët.

Ndër të tjera ish deputeti i PD-së ka theksuar ndër të tjera se naftëtarët e Ballshit përveç korrupsionit të qeverisë ku prej dy vitesh nuk marrin pagat tashmë vuajnë dhe propagandën e qeverisë Rama që nxjerr vendime në letër por nuk i zbaton ato.

Deklarata e plotë:

Pandemia ekonomike është rreziku kryesor sot për qindra mijëra familje shqiptare, të lëna në mes të 4 rrugëve nga qeveria. Një nga shtresat më të prekura janë naftëtarët e rafinerisë së Ballshit, të cilët janë goditur nga dy të këqija:

  1. Nga korrupsioni i qeverisë, që është shkak për mosmarrjen e pagave prej më shumë se 2 vjetësh dhe
  2. Nga propaganda e qeverisë, e cila nxjerr vendime në letër, por nuk i zbaton në realitet.

Janë 800 punëtorë të papaguar qe kanë dalë në protestë për të mbrojtur djersë e tyre nga vjedhja dhe për të mos lënë qeverinë t’i marrë zvarrë me mashtrime të reja.

Vendimi i datës 22 prill e thotë shprehimisht se naftëtarët e Ballshit, të gënjyer e të mashtruar për kaq muaj nga qeveria e Edi Ramës për rrogat e tyre, do të merrnin një pagesë ndihme prej 400 mijë lekësh.

E vërteta është se kjo ndihmë nuk ka mbërritur as tani që flasim në llogaritë e 800 naftëtarëve. Fjalët e qeverisë me realitetin e barkut bosh dhe dinjitetit të nëpërkëmbur bëjnë dallim si nata me ditën.

E vërteta është se kriza ekonomike po i nxjerr njerëzit në mes të katër  rrugëve, ndërsa qeveria nuk i ndihmon ata që humbin punën. Edi Rama dhe ministrat e tij mendojnë se mund t’ia hedhin me propagandë dhe se do të mbulojnë papunësinë me llafe boshe.

E vërteta është se qeveria gënjeu kur tha se do të ndihmonte të gjithë varfërit dhe ata që kishin mbetur papunë. Naftëtarët e Ballshit janë prova se kjo qeveri nuk do që t’ia dijë për njerëzit e zakonshëm, për biznesin e vogël në prag falimenti, për humbjen e mijëra vendeve të punës.

Nëse ndjehen mirë oligarkët, është mirë dhe qeveria. Nëse klientët e kryeministrit janë të kënaqur me pagesat, është i kënaqur edhe Edi Rama, pasi ata janë ortakë në ndarjen e pasurive të shqiptarëve dhe në vjedhjen e taksave tona.

Partia Demokratike mbështet plotësisht protestën e naftëtarëve të rafinerisë së Ballshit. Padrejtësia ndaj tyre duhet të marrë fund. Ata jo vetëm duhet të marrin pa asnjë ditë vonesë me shumë pagesën prej 400 mijë lekësh të ndihmës, por duhet të zgjidhet edhe problemi i djersës gati 2 vjeçare, akoma të papaguar nga kompanitë fantazmë të cilëve Edi Rama u fal miliona euro detyrime.

Pa masa të menjëhershme, pa rritjen e ndihmës për qytetarët dhe bizneset, pandemia e virusit COVID-19 do të shndërrohet në pandeminë ekonomike Rama 2020./abcnews.al