Në një takim virtual me Komitetin e Ekspertëve për koronavirusin të organizuar nga kryeministri Rama, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino u shpreh se dy zonat më problematike janë Tirana dhe Kruja.
Sipas saj, deri më tani zonat e shpallur si të gjelbra nuk kanë shfaqur probleme sa i përket infeksionit duke mos shënuar asnjë rast.
“Aktualisht kemi 2 qytete ku kemi transmetim të virusit, Tirana dhe Kruja. Qytetet në zonat e gjelbra janë pa raste, do të vazhdojmë rritje të testimeve për të parë ku jemi deri tani”, tha Bino duke theksuar se janë trefishuar testimet.
“Kemi trefishuar numrin e testimeve, kemi një indikator që tregon 5 % pozitivitet. Dje kishim 3 % pozitivistet, është një indikacion që duhet ta rujamë. Ne po përdorim metodika të reja me gjetjen e rasteve aktive të reja. Kemi përforcuar shërbimin e gjurmimit të kontakteve, duke e ritrajnuar personelin por edhe mjeket e familjes”, tha Bino.
Ndërkohë, në fjalën hyrëse kryeminstri Rama tha se është duke prezantuar Komitetin e Ekspertëve pas kritikave se i merrte vetë vendimet për koronavirusin. /abcnews.al