Marash Kumbulla është një nga lojtarët që mund të ketë marrë më së shumti mesazhe nga gazetarët dhe tifozët, ata të Hellas Verona kryesisht. Qendërmbrojtësi prej kohësh është në qendër të vëmendjes dhe të gjithë pyesin për të ardhmen e tij.
Ofertat janë të shumta dhe në Itali tre janë klubet më të lakuara: Interi, Napoli dhe Fiorentina. Janë përmendur më parë edhe Milani e Juventusi. Sezoni i tij i parë në Serie A ia ka rritur famën lojtarit të kombëtares shqiptare, që kërkohet edhe nga klube jashtë Italisë.
Everton, Liverpool dhe Manchester United janë lakuar në Premier League dhe tashmë në rrugën e këtyre klubeve dhe të tjerave është futur edhe Tottenham. Të paktën kështu raportohet në mediat ndërkombëtare së fundmi.
Londinezët e drejtuar nga Jose Mourinho kërkojnë lojtarë për mbrojtjen dhe Kumbulla thuhet se është në listën e tyre. Nga ky ankand me siguri do të përfitojë Hellas Verona, pasi çmimi i mbrojtësit nuk do të pësojë rënie, edhe pse ka një krizë financiare prej pandemisë së COVID-19. /abcnews.al