Kushtetuta maqedonase detyron Presidentin të firmosë ligjin e gjuhës

schedule10:14 - 15 Mars, 2018

schedule 10:14 - 15 Mars, 2018

Kushtetuta e Maqedonisë detyron presidentin e vendit Ivanov që të firmosë ligjin për gjuhët pasi nuk ka më të drejtë ta refuzojë atë. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në konferencën për shtyp pas miratimit të ligjit tha se kreu i shtetit as tani dhe as në fazën e parë nuk ka pasur të drejtë të vlerësojë kushtetueshmërnë e ligjit

Pas miratimit në Kuvendin e Maqedonisë të ligjit për përdorimin e gjuhëve, presidenti Ivanov është i detyruar që ta dekretojë atë duke mos pasur më të drejtën ta refuzojë ashtu si ndodhi në fazën e dytë. Kreu i Shtetit është i detyruar nga neni i 75 i Kushtetutës së Maqedonisë.

Sipas këtij neni ligjet shpallen me dekret. Dekretin për fuqizimin e ligjit e nënshkruajnë kryetari i Republikës dhe kryetari i Kuvendit. Kryetari i Republikës mund të vendosë të mos e nënshkruajë dekretin për shpalljen e ligjit. Kuvendi përsëri e shqyrton ligjin dhe nëse e miraton me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, kryetari i Republikës është i detyruar ta nënshkruajë dekretin.

Nga ana tjetër edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në konferencën për shtyp pas miratimit të ligjit tha se kreu i shtetit as tani dhe as në fazën e parë nuk ka pasur të drejtë të vlerësojë kushtetueshmërnë e ligjit. I vetmi organ që ka të drejtë për interpretime të tilla është Gjykata Kushtetuese.

Xhaferi tha se edhe në fazën e parë në komisionin juridiko ligjvënës në Kuvend projekt ligji është miratuar dhe nuk janë konstatuar kundërshtime me Kushtetutën e vendit. Duke u mbështetur në moskompetencën e presidentit për të vlerësuar kushtetueshmërinë e ligjit, Xhaferi tha se janë hedhur poshtë edhe amendamentet e VMRO-DPMNE-së pasi ato i dedikoheshin pikërisht vlerësimit të presidentit, në kundërshtim me Kushtetutën. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!