Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Britania e Madhe ka bërë përgjegjëse Moskën për helmimin e ish-agjentit rus në Angli. Nga ana e saj, Rusia i ka hedhur poshtë akuzat dhe i ka bërë thirrje Londrës të flasë me gjuhën e provave e jo atë të ultimatumeve.
Ambasadori britanik në OKB, Jonathan Allen, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që ka pasur në fokus helmimin e ish-spiunit rus në Angli, e ka cilësuar ngjarjen një “sulm në territorin anglez”. Duke pretenduar për shkelje të nenit 2 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Allen i ka bërë thirrje Organizatës për ndalimin e armëve kimike që të bëjë verifikime të pavarura.
“Opsionet janë dy: ose ishte një sulm i urdhëruar nga Rusia në vendin tim, ose Moskës i kanë dalë agjentët nervorë nga kontrolli. Por për opsionin e dytë nuk ka një shpjegim të besueshëm, ndaj përfundimi është që Rusia të jetë përgjegjëse”, ka thënë Allen. Në krah të Britanisë së Madhe kanë dalë Shtetet e Bashkuara.
“Amerika solidarizohet me Britaninë e Madhe dhe vlerëson se Moska është përgjegjëse. Rusia duhet të bashkëpunojë në hetimin britanik”, ka thënë ambasadorja Nikki Haley. Ajo ka shtuar se, besimi i Këshillit të Sigurimit do të vihet në dyshim nëse Rusia nuk do të konsiderohet përgjegjëse për veprimet e saj.
Përgjigjia e Rusisë ndërkohë ka qenë e ashpër.
“Është e papranueshme të bësh akuza të padrejta si ato në letrën e kryeministres May për sekretarin e përgjithshëm”, ka deklaruar ambasadori rus Vassily Nebenzia. Edhe ultimatumin e Londrës që Moska të pranojë fajin, diplomati e ka cilësuar po ashtu të papranueshëm.
“Ne nuk flasim me gjuhën e ultimatumeve dhe nuk lejojmë që të tjerët të na flasin neve”, ka vijuar Nebenzia, duke i kërkuar qeverisë britanike që të tregojë prova materiale për pretendimet e saj./abcnews.al