Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, orientoi të përjashtuarit nga skema e ndihmës ekonimike drejt qëndrave të formimit profesional. Gjatë përurimit të një qendre të tillë në Elbasan, Ahmetaj përsëriti se gjatë trajnimit, ata mund të përfitojnë gjysmën e pagesës së papunësisë.
Në kulmin e debatit politik mbi ndihmën ekonomike të familjeve në nevojë ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, paralajmëron një vendim qeverie në favor të të përjashtuarve nga kjo skemë.
Detajet u bënë të ditura nga Ahmetaj gjatë inagurimit të qëndrës multi-funksionale në Elbasan.
Arben Ahmetaj: “Tashmë qeveria po nxjerr një vendim ku të gjithë ata që kanë dalë nga ndihma ekonomike, që janë në moshë pune, kanë mundësi të shkojnë të trajnohen në qendrat e formimit profesional, në një qendër multifunksionale si kjo. Të marrin një certifikatë për punën e tyre, e ndërkohë që janë duke mësuar këtu, qeveria, buxheti i shtetit, do t’i paguajë 55 mijë lekë të vjetra në muaj, pra gjysmën e pagesës së papunësisë vetëm që të trajnohen”.
Sipas ministrit Ahmetaj, qëllimi i këtij vendimi që të përjashtuarit nga skema e ndihmës ekonomike të bëhen gjithmonë më të punësueshëm.
Arben Ahmetaj: “Ndihma ekonomike duhet të jetë një situatë e përkohshme, që në finale duhet të shfrytëzohet ashtu siç duam ta shfrytëzojmë ne, për të trajnuar fëmijët e atyre familjeve”.
Aktualisht qendrat e formimit profesional numërojnë në rreth 20 mijë nxënës./abcnews.al