Skënderbeu respekton garën ndaj Teutës

schedule19:49 - 14 Mars, 2018

schedule 19:49 - 14 Mars, 2018

Skënderbeu respektoi garën në ndeshjen e Superligës të luajtur në Durrës. Barazoi në minutat e fundit duke bërë që Teuta të mbetet seriozisht e rrezikuar për të rënë nga kategoria

Në Durrës gara u nderua, por skuadra vendase u rrezikua. Skënderbeu nuk lejoi të hidheshin edhe më shumë dyshime në një kampionat të tronditur nga arbitrimet, duke i hequr Teutës fitoren nga dora në minutat e fundit.

Kryesuesit e Superligës, thuajse të shpallur kampionë, mund të pranonin edhe një humbje për t’i bërë nder durrsakëve që rrezikojnë të bien nga kategoria, por nuk e bënë.

Nuk dihet se çfarë ndikoi, karakteri i dyshes së stolit Daja-Mema, apo marrëdhëniet jo të mira mes drejtuesve të dy klubeve, por fakt është se Teuta mbeti 4 pikë prapa Vllaznisë, sërish kandidate kryesore për në Kategorinë e Parë.

Të dyja skuadrat luajtën fort në “Niko Dovana”, duke pasur raste, ndonëse golat erdhën vetëm në pjesën e dytë.
Një penallti u dha menjëherë për Teutën dhe Hila nuk gaboi, ndërsa më pas sërish pati raste në të dyja portat.

Pasi u dhanë 3 minuta shtesë, Xhejms Adeniji shtangu vendasit me golin në minutën e 92-të. Në Vlorë, gjithashtu pati barazim dhe sërish Flamurtati pati pretendime ndaj gjyqtarëve. Kundër vlonjatëve u dha një penallti, në favor të Kamzës, dhe një karton i kuq për mbrojtësin Bicaj. Raçiç kaloi Kamzën në epërsi me penallti, ndërsa vendasit barazuan me golin e afrikanit Sidibe.

Më pas, Plaku shfrytëzoi epërsinë numerike duke kaluar sërish në epërsi Kamzën e trajnerit Ndreu, por në fund u dha edhe një penallti në favor të vlonjatëve dhe Zhufo nuk gaboi.

Përsa i përket renditjes, Teuta ka tani 23 pikë, ndaj 27 të Vllaznisë, ndërsa Skënderbeu u shkëput edhe më shumë, duke pasur tani 57 pikë ndaj 42 të Kukësit që u mund në fushën e Luftëtarit.

Flamurtari, ndërkaq, është plotësisht i rrezikuar për kualifikimin në Europë, duke pasur 37 pikë, po aq sa Luftëtari në vend të tretë, ndërsa Partizani ka 36 e Kamza 34.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!