Maqedoni/PD përshëndet miratimin e ligjit të gjuhës shqipe

schedule19:14 - 14 Mars, 2018

schedule 19:14 - 14 Mars, 2018

Në një deklaratë, Partia Demokratike ka përshëndetur votimin në Parlamentin e Maqedonisë për ligjin e gjuhës shqipe.

“Partia Demokratike përshëndet votimin në Parlamentin e Maqedonisë të ligjit të gjuhës shqipe. Ky votim është një hap përpara në krijimin e një klime të mirë bashkëjetese midis komuniteteve etnike në Republikën e Maqedonisë”, shkruhej në deklaratë.

Më tej, thuhej se PD mbështet një Maqedoni stabile dhe të integruar dhe nxit faktorin politik shqiptar atje të inkurajojë bashkëpunimin politik mes tij për realizimin e detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit.

“Partia Demokratike përshëndet faktorin politik shqiptar në Maqedoni dhe nxit e inkurajon bashkëpunimin politik mes tij për realizimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit. Partia Demokratike mbështet një Maqedoni stabile dhe të integruar në strukturat euroatlantike si interesi më i mirë i stabilitetit dhe përparimit të rajonit drejt integrimit europian dhe euroatlantik”, thuhej ndër të tjera në deklaratë.

Parlamenti i Maqedonisë miratoi këtë të mërkurë pasdite ligjin për gjuhët, që kthen edhe atë shqipe në gjuhë zyrtare. Ligji është miratuar me 64 vota pro në një seancë të tensionuar mes fraksioneve politike./abcnews.al