Afrim Taku është një emër i njohur në futbollin shqiptar. 30-vjeçari është aktivizuar me Tiranën dhe Skënderbeun në Superiore, teksa luan në futbollin amerikan prej vitit 2018. Taku ka bërë një lidhje direkte me “Fan Zone” në Supersport, aty ku analizon ndryshimin midis kampionateve.
SHBA – “Këtu niveli, nga viti në vit, po rritet më shumë. Evropa është më lart përsa i përket futbollit. Në ligën ku unë bëj pjesë është rritur niveli. Në Shqipëri niveli futbollistik është më lart, por këtu janë kushtet më të mira”.
TIRANA – “Për momentin ndihem shumë mirë këtu, por kurrë mos thuaj kurrë në lidhje me rikthimin. I kam ndjekur këtë sezon kur kam pasur kohë. Me ardhjen e Egbo janë përmirësuar dhe e meritojnë titullin”.
PARTIZANI – “Në të kaluarën kanë qenë më të kompletuar, por këtë vit kanë pasur shumë probleme”.
MALLI – “Tashmë në Amerikë më mungon shumë familja ime, ndonëse kam krijuar familje të re. Gjithashtu më mungon edhe stadiumi i ri, do doja shumë ta provoja”.
TRAJNERËT – ”Kam pasur shumë, pasi Tirana ta jepte këtë luks. Unë do të thoja, për atë që më dha mundësi të luaja për gjithë sezonin, Julian Rubio Sançez dhe shqiptar Ilir Daja.”, u shpreh Taku për “Supersport”. /abcnews.al