OFL godet kompaninë e Lul Berishës, sekuestrohen 1.2 milion litra naftë

schedule14:06 - 5 Maj, 2020

schedule 14:06 - 5 Maj, 2020

OFL ka ndërhyrë mbrëmë në Durrës duke sekuestruar 1.2 milion litra naftë të një kompanie që ka ushtruar deri më tani aktivitet në furnizimin e peshkarexhave në port.

Kompania është në pronësi të motrës së Lulzim Berishes dhe të një afërmi të familjes dhe OFL thekson se asaj i ishte hequr licenca, por vijonte ende të bënte furnizimin e peshkarexhave përmes shantazhit ndaj konkurrentëve.

Megjithatë, OFL pretendon se të gjitha pronat i përkasin Lul Berishës dhe ato i kanë kaluar së motrës për të shmangur problemet me ligjin.

Në lidhje me këtë, peshkatarët e Durrësit u ngritën në protestë duke theksuar se nuk furnizoheshin me naftë.

“Pasi e ka ndjekur fillin e këtij organizimi kriminal, OFL ka kryer mbrëmë operacionin e sekuestros dhe po vijon, në bashkëpunim me Strukturat e Specializuara të Hetimit Financiar, hetimin intensiv për zbulimin dhe dokumentimin e gjithë veprimtarisë kriminale në këtë fushë dhe lidhjen me persona të tjerë publikë e privatë”, bën me dije OFL.

Njoftimi i plotë

Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, përgjatë dy muajve të fundit, OFL nuk e ka ndërprerë punën asnjë ditë. Në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, OFL ka vijuar hetimet dhe goditjen e subjekteve të Ligjit Special.

Së bashku me Strukturat e Specializuara të Hetimit Financiar në Policinë e Shtetit dhe Doganat, në vijim të luftës kundër informalitetit, evazionit, ushtrimit të aktiviteteve të palicencuara dhe abuzimeve me tregun e hidrokarbureve, mbrëmjen e djeshme OFL sekuestroi 1,2 milion litra naftë dhe një magazinë doganore, në Durrës, në pronësi të subjektit privat L. B. & E. SH.

Këtij subjekti, më datë 13.02.2019, me vendimin nr. 85, i ishte revokuar licenca nga autoritetet kompetente shtetërore “Për ushtrimin e veprimtarisë së furnizimit me karburant, për konsum të anijeve në porte”. Pavarësisht revokimit të licencës, subjekti ka vazhduar të ushtrojë në mënyrë të paligjshme aktivitetin e tregtimit të naftës për peshkimin, duke përdorur shantazhin ndaj konkurrencës dhe duke tentuar të krijojë një monopol kërcënues për operatorët e industrisë së peshkimit.

Pasi e ka ndjekur fillin e këtij organizimi kriminal, OFL ka kryer mbrëmë operacionin e sekuestros dhe po vijon, në bashkëpunim me Strukturat e Specializuara të Hetimit Financiar, hetimin intensiv për zbulimin dhe dokumentimin e gjithë veprimtarisë kriminale në këtë fushë dhe lidhjen me persona të tjerë publikë e privatë.

OFL do informojë publikun në vijimësi për ecurinë e këtij operacioni të rëndësishëm, i cili tregon edhe njëherë se pasuritë kriminale nuk do të mbijetojnë në duart e subjekteve të Ligjit Special apo familjarëve e rrethit të bashkëpunëtorëve të tyre.

/abcnews.al