VIDEO/ Brenda magazinës së Lulzim Berishës, ku OFL sekuestroi 1.2 milion litra naftë

schedule14:52 - 5 Maj, 2020

schedule 14:52 - 5 Maj, 2020

OFL i sekuestroi mbrëmë 1.2 milion litra naftë kompanisë së motrës së Lulzim Berishës në Durrës me argumentin se operonte pa leje dhe se ushtronte presion ndaj operatorëve të tjerë për të mos furnizuar peshkarexhat me karburant.

Sipas OFL-së, kompanisë i është hequr licenca që në shkurt të vitit të shkuar, por pavarësisht kësaj ajo ka vijuar të furnizojë me karburant peshkarexhat duke i bërë presion konkurrentëve të tjerë në treg.

Kompania është në emër të motrës së Lulzim Berishës, dhe një personi tjetër, i afërm i familjes. Megjithatë, OFL pretendon se ajo në fakt i përket Lulzim Berishës, dhe ai e ka kaluar në emër të motrës për të shmangur problemet me ligjin.

OFL ka publikuar edhe pamjet e operacionit në magazinën ku mbahej sasia e madhe e naftës.

Njoftimi i plotë

Në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”, përgjatë dy muajve të fundit, OFL nuk e ka ndërprerë punën asnjë ditë. Në bashkëpunim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, OFL ka vijuar hetimet dhe goditjen e subjekteve të Ligjit Special.

Së bashku me Strukturat e Specializuara të Hetimit Financiar në Policinë e Shtetit dhe Doganat, në vijim të luftës kundër informalitetit, evazionit, ushtrimit të aktiviteteve të palicencuara dhe abuzimeve me tregun e hidrokarbureve, mbrëmjen e djeshme OFL sekuestroi 1,2 milion litra naftë dhe një magazinë doganore, në Durrës, në pronësi të subjektit privat L. B. & E. SH.

Këtij subjekti, më datë 13.02.2019, me vendimin nr. 85, i ishte revokuar licenca nga autoritetet kompetente shtetërore “Për ushtrimin e veprimtarisë së furnizimit me karburant, për konsum të anijeve në porte”. Pavarësisht revokimit të licencës, subjekti ka vazhduar të ushtrojë në mënyrë të paligjshme aktivitetin e tregtimit të naftës për peshkimin, duke përdorur shantazhin ndaj konkurrencës dhe duke tentuar të krijojë një monopol kërcënues për operatorët e industrisë së peshkimit.

Pasi e ka ndjekur fillin e këtij organizimi kriminal, OFL ka kryer mbrëmë operacionin e sekuestros dhe po vijon, në bashkëpunim me Strukturat e Specializuara të Hetimit Financiar, hetimin intensiv për zbulimin dhe dokumentimin e gjithë veprimtarisë kriminale në këtë fushë dhe lidhjen me persona të tjerë publikë e privatë.

OFL do informojë publikun në vijimësi për ecurinë e këtij operacioni të rëndësishëm, i cili tregon edhe njëherë se pasuritë kriminale nuk do të mbijetojnë në duart e subjekteve të Ligjit Special apo familjarëve e rrethit të bashkëpunëtorëve të tyre.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!