“Kur kam qenë i vogël, kisha idhull Roberto Baggion. Tani nuk kam një lojtar ku të fokusoj inspirimin tim, pasi luaj në role të ndryshme, pas sulmuesve, ashtu edhe në krahët e mesfushës e mbrojtjes”. Kështu shprehet Franccesko Tahiraj, lojtari i Hajduk Split, i cili ka fatin që ta ketë nisur stërvitjen me ekipin e tij në kroaci.
“Nuk ka qenë e thjeshtë kjo periudhë, pasi ishte diçka e panjohur për ne. Për fat të mirë kemi rinisur stërvitjen prej gati 3 javësh. Fillimisht stërviteshim në mënyrë individuale, ndërsa këtë javë kemi filluar me grupe me nga 5 lojtarë”, tregon 23-vjeçari në një lidhje direkte me Supersport 1, gjatë emisionit “Fan Zone”.
Hajdut Split është një klub i madh në Kroaci dhe Tahiraj e pranon se përgjegjësia është e madhe në një klub të tillë dhe me një tifozeri spektakolare. Vlonjati ka besim se tani skuadra e tij do të rikthehet në nivele të larta dhe të rivalizojë me Dinamo Zagreb.
“Me mentalitetin e duhur mund të shkojmë përpara. Dinamo ka bërë një punë shumë të mirë me akademinë dhe prej vitesh është në nivele të larta. Ne tani jemi duke punuar me një trajner si Tudor dhe besoj se shumë shpejt do të rikthehemi në nivele të larta”, shton anësori, i cili ka qenë pjesë e moshave të Juventusit.
Sigurisht dëshira është e madhe që ai të rikthehej një ditë te bardhezinjtë. “Unë jam rritur në Torino dhe Juventusi është skuadra ime e zemrës. Jam rritur atje qoftë si futbollist e qoftë si njeri, ndaj do të doja të rikthehesha sërish një ditë”.
Në fund Tahiraj zbulon se kishte marrë edhe një ftesë nga Shqipëria, por koronavirusi ia prishi planet dhe debutimin me kombëtaren e madhe. “Fatmirësisht ftesa më erdhi për miqësoret me San Marinon dhe Slloveninë, por korona na prishi planet. Besoj se shumë shpejt do të jem pjesë e Shqipërisë, por kjo do të varet nga unë dhe mënyra si do të paraqitem në vijimësi”, përfundon lojtari i Hajduk Split. /abcnews.al