Mirel Josa, trajneri i njohur shqiptar, pas një eksperience te Prishtina është i lirë dhe në pritje të ofertave. Në Dardani e kanë shkarkuar dhe normalisht ai do të paguhet në bazë të kontratës. Këtë periudhë pandemie ai po e kalon në shtëpinë e tij në Tiranë dhe thekson se tani gjërat janë normalizuar.
Gjithsesi ai shprehet se për futbollistët dhe trajnerët nuk do të jetë e lehtë. Në lidhje me nisjen e përgatitjeve, Josa thotë: “Duhet të ishte dhënë leja për të nisur stërvitja. Ne po dëgjojmë në Europë për mënyrën se si stërviten dhe këtu kam disa pikëpyetje nëse klubet shqiptare kanë mundësi për të respektuar këto rregulla”.
Tekniku ka fituar titullin kampion në vitin 2004 me Tiranën dhe në emisionin që transmetohet në Supersport 1, “Fan Zone”, shprehet kështu për ekipin e atij sezoni: “Tirana ka qenë një skuadër e kompletuar. E mora ekipin kur zëvendësova Sulejman Memën dhe nuk u deshën shumë ndërhyrje në merkato. Pastaj u ndryshuan shumë gjëra, u largua presidenti El Saied dhe erdhën katër donatorë të tjerë. Kisha një vit që kisha filluar punë si trajner. Kisha fat që drejtova atë skuadër dhe fituam edhe titullin kampion.
Në lidhje me ofertat dhe një rikthimin të mundshëm në Superiore, Josa deklaron: “Nuk ka pasur ndonjë ofertë shumë konkrete. Ka qenë një ofertë në Azerbajxhan dhe një në Arabi. Atë në Arabi e kam refuzuar vetë, ndërsa në Azerbajxhan oferta nuk ka qenë konkrete. Superiorja? Nuk dua të flas shumë rreth kësaj, por unë dua të punoj. Kisha kontratë me Prishtinën, por kontrata u prish në mënyrë të njëanshme. Në fund të sezonit do të rikthehem si trajner te një skuadër që pretendon titullin”.
Josa normalisht nuk anashkalon edhe Tiranën e këtij sezoni: “Tirana e ka të siguruar titullin kampion dhe për këtë gjë të jenë të sigurt të gjithë. Dua ta respektoj, pasi Tirana është pjesë e jetës sime qoftë si lojtar, tifoz apo trajner. Do të më bëhet qejfi shumë dhe më është bërë për atë ecuri që ka bërë. Për mua e para është fanella e Tiranës e pastaj ata që e drejtojnë”. /abcnews.al

