19-vjeçari që vrau 17 persona në një shkollë të Floridës rrezikon dënimin me vdekje. Prokurorët që kanë depozituar pretencën kanë deklaruar se ai e kishte kryer krimin e rëndë me vetëdije dhe kthjelltësi të plotë.
Prokurorët në Florida do të kërkojnë dënimin me vdekje për Nikolas Cruz, ish-studentin e akuzuar për masakrën e muajit të kaluar në një gjimnaz në Parklend, ku humbën jetën 17 persona.
Kështu thuhet në një dokument të depozituar këtë të martë në gjykatë, të cilit i referohet agjencia e lajmeve “Reuters”. Prokurorët e argumentojnë kërkesën e tyre me faktin se, Cruz e ka kryer sulmin me vetëdije të plotë se mund t’u merrte jetën shumë njerëzve.
Ndaj 19-vjeçarit rëndojnë 17 akuza për vrasje me paramendim dhe 17 të tjera për tentativë vrasjeje. Pas depozitimit të kërkesës, avokatët e Cruz përsëritën ofertën që klienti i tyre të pranojë fajin nëse akuza nuk insiston për dënimin kapital.
Cruz pritet të dalë në gjykatë ditën e mërkurë, ku do t’i kërkohet që të deklarohet lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tij. Ngjarja e 14 shkurtit riktheu debatin për lirinë e armëmbajtjes në Shtetet e Bashkuara.
Studentët e shkollës ku ndodhi ngjarja, por edhe të qyteteve të tjera protestuan për më shumë siguri. Ndërsa presidenti Trump si zgjidhje të problemit propozoi armatosjen e mësuesve në shkolla./abcnews.al

