Më 14 mars pjesa qendrore e Tiranës do te bllokohet për qarkullimin e automjeteve. Policia Bashkiake ka hartuar një plan masash për të garantuar aktivitetet e organizuara për ditën e Verës, ndërkohë që ndryshim të lëvizjes do të pësojnë edhe linjat e autobusëvë urban që kalojnë në pjesën qendrore të kryeqytetit.
Kufizoni lëvizjet me makina, ose do të mbeteni në trafik. Të mërkurën thuajse e gjithë pjesa qendrore e Tiranës do të bllokohet për qarkullimin e automjeteve. Arsyeja është garantimi i mbarëvajtjes së aktiviteteve organizuar nga Bashkia për të festuar ditën e Verës. Ndalimi i lëvizjes së automjeteve nis mesnatën e 14 marsit dhe përfundon në orën 4 të 15 marsit në këto segmente kryesore.
“Dëshmorët e Kombit” në kryqezim me “Ismail Qemalin” deri tek Bulevardi “Bajram Curri”, rruga “Ibrahim Rugova” në kryqëzim me bulevardin “Bajram Curri” dhe rrugën “Ismail Qemali”, rruga “Pjetër Bogdani”, “Brigada e VIII” dhe “Sami Frashëri”. Më datë 14 mars nga ora 7 deri në 19:00 bllokohet edhe bulevardi “Dëshmoret e Kombit në kryqëzim me rrugën “Myslym Shyri” dhe bulevardin “Zhan Dark”.
Ndryshim të itinerarit të lëvizjes sipas shefit të qarkullimit në Policinë Bashkiake të Tiranës do të pësojnë dhe linjat e autobusëve urbanë që aktualisht kalojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në rrugët ku do të bllokohet qarkullimi i automjeteve i ndaluar do të jetë edhe parkimi i tyre. Nëse qytetarët nuk do t’i largojnë vetë nga rruga shefi i qarkullimit në Policinë Bashkiak thotë se ato do të lëvizen nga policia bashkiake.