Futbolli “non grata”: Vendim djallëzor, stadiumi shqiptar do bëhet… parking

schedule08:39 - 2 Maj, 2020

schedule 08:39 - 2 Maj, 2020

Gjithçka punon kundër sportit në vendin tonë. Të gjithë e kanë parë se si trajtohen sportistët, të cilët ia dalin ta nderojnë vendin tonë në arenën ndërkombëtare dhe në fund marrin vetëm mosmirënjohje. E kemi parë të gjithë sa vlejnë medaljet e Briken Caljes.

E kemi parë të gjithë sa kanë vlejtur medaljet e të tjerë peshëngritësve, e kemi parë se si kombëtarja e basketbollit nuk është lejuar as të stërvitet në “Tirana Olimpik Park”, e kemi parë edhe si Eklent Kaçi nuk është lejuar as të marrë pjesë në Europian e Bilardos të zhvilluar në Shqipëri.

Gjithashtu kemi parë se si fanellën e kombëtares e ka dizenjuar kryeministri Edi Rama, madje, madje sipas Armando Sadikut edhe e ka kualifikuar në EURO 2016. Të mos flasim pastaj për tribunat VIP me politikanë, të cilët shfaqen sa herë ka ndeshje të mëdha, ose fushatë elektorale.

Pastaj të mos harrojmë edhe tjetrën, kthimin e fushave të futbollit në truall ndërtimi. Një krim. Të gjesh në kryeqytet një fushë ku fëmijët mund të luajnë është një mision thuajse i pamundur. Pasi kanë mbaruar fushat e stërvitjeve, tani është radha e stadiumeve.

 

Sipas asaj që raporton “Panorama Sport”, në Kamzë bashkia ka vendosur të shembë stadiumin dhe aty të ndërtohet një parking nëntokësor dhe mbi të një qendër rekreative për banorët e zonës. Praktikisht Kamza pa futboll dhe pa stadium.

Vendim normal, nuk prodhon para, kujt i interesojnë ëndrrat e fëmijëve që duan të bëhen si Messi, Ronaldo, apo si futbollistët e kombëtares shqiptares, apo thjesht si Xhuljo Mehmeti, një djalosh i formuar te Kamza dhe që provoi të luante në Superiore.

Futbolli dhe sportet në vendin tonë vlejnë zero. Këtu vlen vetëm çfarë prodhon lekë, kush prodhon vota dhe propagandë. Ata janë më të nderuarit. Shqipëria nuk ka nevojë për ambasadorë si Lorik Cana, Igli Tare, apo Majlinda Kelmendi, të cilën e kemi humbur për vetëm 30 mijë euro, aq sa kushton makina e gruas së një deputeti, që e përdor për të bërë pazarin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!