Maskat rishfaqen në kohë karantinë. Pre e tyre ka rënë një familje në fshatin Qinam në Zall-Herr, të Tiranës.
Mbrëmjen e së enjtes një grup personash të prezantuar si efektivë policie, hynë në shtëpinë e familjes Zeja, duke i kërcënuar me armë. Pas inskenimit të këtij aksioni policor, grabitësit i kanë lidhur me litar, anëtarët e familjes, çiftin e bashkëshortëve dhe djalin e tyre të cilët ndodheshin në kat të parë.
Nga dhuna, ka shpëtuar vajza, e cila bashkë me të birin 6 vjeçar, ndodheshin në katin e dytë të banesës. Brenda pak minutash ata kanë marrë të gjitha sendet me vlerë që ndodheshin në shtëpi dhe një shumë parash, e më pas janë larguar. Një ditë më pas, zonja Drita Zeja, rrëfen se si u përballën me grabitësit dhe tmerrin që kanë përjetuar.
“Jemi policia, jemi për kontroll. Kemi të dhëna për të shtëna me automatik. Na thanë që do të bëjmë kontroll. Na lidhën. Kanë marrë paratë, telefona, çdo gjë”, u shpreh ajo.
Ndërkohë vajza e familjes Zeja që i shpëtoi këtij incidenti duke u fshehur në katin e dytë, tregon momentet e ankthit.
“Dëgjoj kur thonë, jemi Policia e Shtetit, kemi ardhur për kontroll. Njëri vjen të dhoma ime, nuk me prek, isha me djalin e vogël. Ishte i maskuar. Ndërsa një tjetër që ishte poshtë ushtronte dhunë mbi babain. Në një moment, një nga personat që po qëndronte në dhomën time i thotë personit tjetër që po dhunonte babain, vrite”, tregon ajo.
Familjarët thonë se nuk kanë dyshime për autorët e mundshëm, e as të kenë pasur grindje me fqinjët apo persona të tjerë, ndërsa bëjnë me dije se nuk është hera e parë që banesa e tyre grabitej.
Para disa kohësh atyre u është vjedhur një motoçikletë në oborr dhe ngjarja nuk është zbardhur. Në të shumtën e rasteve, grabitësit, që synojnë shtëpitë nëpër fshatra, janë identifikuar vetëm kur kanë qenë fqinj, ndërsa profesionistët që synojnë zona të largëta me vendbanimin e tyre, nuk janë zbuluar./abcnews.al