Kryeministri Rama deri më tani i ka marrë vendimet për menaxhimin e krizës së koronavirusit duke mos u konsultuar me asnjë person tjetër, veç vetes. Të paktën kështu është shprehur ish-ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka gjatë një interviste në studion e lajmeve të Abc News.
Ndërsa, sa i përket kërkesës së opozitës për mbylljen e fasonerive në vend, kreu i Partisë Demokristiane u shpreh se ai personalisht është kundër mbylljes, por sipas tij, në këto ambiente duhet ndjekur një protokoll i rreptë pasi kemi të bëjmë me ambiente të mbyllura.
Nard Ndoka shprehet: Jo t’i mbyllin fasonet por të vendosnin disa standarte. Të ruante ato standarte. Këto argumente absurde dhe të këtyre mjekeve që nxjerr ky, krijojnë terror, krijojnë frikë. Duhet pasur kontroll, kjo është ideja. Kërkesa e opozitës ishte me baze sepse nuk patëm një qeverisje fleksibël. Ky është mendimi im personal. Unë jam kundër edhe atyre që ka kërkuar opozita. Duhej një protokoll i qartë, jo jashtë kushteve normale të logjikes, të kenë një vëmendje të madhe, sepse janë shumë njerëz që punojnë në ambiente të mbyllura.
Më tej, Ndoka u shpreh që duhet të hapet jeta normale, pasi sipas tij nuk ka liri për qytetarët. Gjithashtu Nard Ndoka u shpreh që qeveria mund të kishte “kopjuar modelet e tjera” dhe të ndiqte ato.
Ndërsa, i pyetur se çfarë ndikimi do të ketë menaxhimi i koronavirusit dhe pasojave të tërmetit, në zgjedhjet që do të mbahen vitin tjetër, Ndoka u shpreh që mbi qeverinë mund të rëndojë pakënaqësia e madhe e qytetarëve.
Sipas tij, me vendimet e marra, Rama ka falimentuar biznesin e vogël, dhe pasi të dalim nga kjo krizë mund të përballemi me protesta jo-politike.
Nard Ndoka: Ne flasim për kushtet normale, por nuk flasim si do jenë pasojat e hapjes, do të jetë një krize shume e madhe, mund te ketë protesta te natyrave jo politike. Do të jetë pakënaqësia jashtëzakonisht e madhe. Janë shumë të mëdha këto pasoja, ekonomia është në kolaps. Mijëra biznese janë të falimentuara, shteti u hoqi edhe aftësinë që patën për t’u vetëpunësuar dhe shteti sot i nxjerr në rrugë e tallet edhe me pagesën e luftës. Nuk e kuptojmë që sa të mbarojë ky hall,kemi një hall akoma më të madh. Ky ka falimentuar gjysmën e Shqipërisë, nuk e di ça dëmi ka bërë. nuk e kupton që në sot në Fier e pritën me protesta… zgjedhjet janë në dorën e pakënaqësisë së qytetarëve shqiptarë. /abcnews.al/