Helmimi i agjentit rus, May akuzon Rusinë

schedule22:31 - 12 Mars, 2018

schedule 22:31 - 12 Mars, 2018

Kryeministrja Theresa May ka reaguar në lidhje me helmimin e ish-spiunit rus në Angli, duke e drejtuar gishtin nga Rusia. Ndonëse jo në mënyrë direkte, May ka akuzuar Moskën për sulm ndaj Mbretërisë së Bashkuar.

Kryeministrja britanike, Theresa May, ka deklaruar të hënën se ka të ngjarë që Moska të jetë përgjegjëse për helmimin e ish-agjentit rus dhe të bijës në Angli. Duke folur në Parlament, May ka thënë se ose shteti rus është i përfshirë në mënyrë direkte, ose u ka mundësuar të tjerëve pajisjen me agjentin kimik e përdorur për helmimin.

Shefja e qeverisë britanike ka bërë me dije se Londra i ka dhënë kohë deri të mërkurën Moskës që të japë sqarimet e duhura. Sergei Skripal dhe vajza e tij, Julia, u helmuan me një agjent nervor të nivelit ushtarak, në një park në Salisburi. May ka saktësuar se hetuesit e kanë identifikuar substancën si pjesë të familjes së agjentëve nervorë Noviçok, e zhvilluar nga ushtria sovjetike në vitet ‘70 dhe ‘80.

“Nëse nuk do të ketë një përgjigje të besueshme, atëherë ne do të arrijmë në përfundimin se ky veprim ishte një përdorim i paligjshëm force nga shteti rus kundër Mbretërisë së Bashkuar”, ka thënë May. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Jashtme ruse, e cila i ka cilësuar komentet e May një “shfaqje cirku” dhe pjesë të një fushate keqinformimi ndaj Rusisë. Skripal, 66 vjeç dhe vajza e tij Julia, 33, ndodhen në spital në gjendje të rëndë, që kur u gjetën pa ndjenja në Salisburi, më 4 Mars./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!