Stefano Pioli e ka shfrytëzuar këtë periudhë pushimi për të shikuar shumë ndeshje. Futbolli ka ndryshuar shumë me kalimin e viteve dhe trajneri i Milanit e pranon këtë transformim në një bisedë në “Instagram” me Pasquale Gravina, ish-kampion i volejbollit.
“E kuptoj vështirësinë e momentit, por do ishte mirë të dinim se kur do të rinisë kampionati, nëse do të rinisë. Do na ndihmonte shumë për të planifikuar më mirë punën tonë. Kam shikuar shumë ndeshje këtë periudhë. Futbolli ka ndryshuar me të vërtetë shumë.
Metodologjia e punës ka ndryshuar, ashtu si edhe përgatitja e ndeshjeve, kjo edhe falë teknologjisë. Strategjitë janë më të thelluara dhe skuadrat janë më të përgatitura. Është rritur shumë shpejtësia e lojës. Unë dhe staf im, punojmë shumë me topin.
Hapësirat kanë ndryshuar, në ditët e sotme duhet të lexosh situatën brenda pak sekondash. Kjo ka ndodhur edhe falë dëshirës së trajnerëve për të përmirësuar veten. Ibrahimovic? Kam biseduar me të disa ditë më parë, ndodhet në formë të mirë.
Sekreti i një skuadre fituese? Klubi duhet të jetë i fortë, i organizuar dhe kompakt. Menaxhimi duhet të jetë në nivel të lartë, drejtuesit duhet të jenë të gatshëm për të gjetur zgjidhje dhe nuk duhet të shkaktojnë probleme. Skuadra duhet të ketë cilësi teknike dhe, sidomos, shumë personalitet.
Fitojnë skuadrat që kanë në përbërje lojtarë të vështirë për t’u stërvitur, por me një personalitet të fortë. Është e qartë që nevojitet edhe një trajner i aftë për të menaxhuar një dhomë të vështirë zhveshje”, përfundon trajneri i Milanit. /abcnews.al