Akuza qesharake për konspiracion rus janë deklaratat e përditshme të deputetëve socialistë në sytë e demokratëve, të cilët i thonë Kryeministrit Edi Rama se nuk mund ta ndihmojnë të fshehë dy të vërteta të mëdha.
Enkelejd Alibeaj: “Se ai po bën gjithçka për të shpëtuar Saimir Tahirin nga burgu dhe se vëllai i tij, Olsi Rama, është një nga peshqit e mëdhenj të kokainës kolumbiane”.
Sipas deputetit Alibeaj, që kur 613 kilogramët e kokainës u kapën me ndihmën e partnerëve të huaj, Kryeministri i vendit është zhdukur nga qarkullimi dhe nuk jep përgjigje se çfarë lidhje ka Olsi Rama me një nga kartelet më të rrezikshme të drogës kolumbiane dhe cili ishte roli i Olsi Ramës në ngarkesën e 613 kilogramëve kokainë të pastër. Por kryeministri nuk ka heshtur vetëm për këtë thonë demokratët nga selia blu.
Enkelejd Alibeaj: “Edi Rama hesht dhe nuk u thotë shqiptarëve përse është takuar fshehurazi me Saimir Tahirin të premten paradite në një nga spitalet private të Tiranës. Është detyrim i kryeministrit të vendit të flasë për marrëdhënien e tij me Saimir Tahirin, duke mos mbajtur më peng integrimin europian të vendit. Edi Rama e di shumë mirë se pa i hequr mbrotjen politike ish-ministrit të tij të brendshëm, Shqipërisë nuk do t’i hapen negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian”.
Kërcënimi më i madh për Shqipërinë është bashkëqeverisja me krimin paralajmërojnë demokratët jo historitë me me rusë, spiunazh dhe destabilitet./abcnews.al