Fukushima, Japonia përkutjon viktimat e cunamit

schedule16:37 - 11 Mars, 2018

schedule 16:37 - 11 Mars, 2018

Japonia ka përkujtuar viktimat e tragjedisë së vitit 2011, kur vendi u godit nga katastrofa e trefishtë. Nga tërmeti, cunami dhe aksidenti bërthamor vlerësohet se kanë humbur jetën mbi 18 mijë persona.

Japonia është ndalur për të rikujtuar viktimat e aksidentit të trefishtë – tërmet, cunam dhe katastrofë bërthamore, që goditi kombin më 11 mars të 2011-ës. Në ceremoninë e mbajtur në Teatrin Kombëtar të Tokios ishin Princi Akishino dhe bashkëshortja Kiko, së bashku me kryeministrin Shinzo Abe. Në orën 16:46 (6:46 në Shqipëri), ora e saktë e goditjes së lëkundjeve sizmike me magnitudë 9, u mbajt një minutë heshtje. Ceremoni përkujtimore janë mbajtur në tre prefektura të ndryshme si Fukushima, Miyagi dhe Iwate.

Agjencia Kombëtare e Policisë vlerësoi të paktën 18,000 persona, të vdekur dhe të humbur, për shkak të valës së cunamit, përgjegjës për shkatërrimin e shumicës së bregut veri-lindor në rajonin Tohoku; 3,600 persona të tjerë humbën jetën nga shkaqe që lidhen me katastrofën. Numri i personave të zhvendosur kaloi nga 470 mijë, një ditë pas katastrofës shtatë vjet më parë, në 74 mijë që është vlerësimi i tanishëm. Në fund të Janarit të këtij viti, të paktën 29,600 njerëz jetojnë në vendbanime të përkohshme të tri prefekturave, gjysma prej të cilave ende jetojnë në komplekset e parafabrikuara të përdorura si qëndra strehimi.

Sipas studimeve më të fundit të “Greenpeace Japan”, në fillim të Marsit, niveli i rrezatimit në zonat rreth impjantit bërthamor, ku urdhrat e evakuimit u hoqën kohët e fundit, ishin tre herë më të larta se objektivat e qeverisë. Sipas parashikimeve të ekzekutivit, do të duhen të paktën 30 vjet për të hequr mbetjet bërthamore në reaktorë, ndërsa shpenzimet për prishjen e termocentralit, duke përfshirë koston e bonifikimit të tokës, vlerësohen në rreth 160 miliardë euro.

Aktualisht vetëm tre prej 45 reaktorëve bërthamorë në dispozicion të vendit janë në funksion, por qeveria konservatore shtyn për një rihartim të impianteve me kujdes më të madh në përputhje me standardet më të larta të sigurisë. Por në një sondazh të fundit, vetëm 11% e japonezëve thonë se ata janë në favor të rihapjes së impianteve, ndërsa 75% janë kundër saj./abcnews.al