I anulohet leja për ulje në Aeroportin e Prishtinës, reagon Pacolli

schedule13:37 - 28 Prill, 2020

schedule 13:37 - 28 Prill, 2020

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka njoftuar se i është anuluar leja për uljen në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me aeroplanin e tij.

Në reagimin e tij Pacolli ka theksuar se anulimi i lejes është privim i drejtpërdrejtë i së drejtës për të lëvizur.

“Anulimi i lejes së uljes në aeroportin e Prishtinës për aeroplanin tim është privim i drejtpërdrejtë i së drejtës sime për të lëvizur”, shkruan në profilin e tij në Facebook.

Ndërkohë me herët Pacolli ka reaguar lidhur me kthimin e tij në Kosovë dhe qëndrimin për 14 ditë në karantinë.

Kreu i AKR-së, ka thënë se ajo çfarë po ndodhë është tronditëse për të, duke shtuar se ai po pengohet të kthehet në Kosovë nga një Qeveri të cilën ai e ka votuar.

“Akti ndaj meje, në kundërshtim me gjithë ligjet ndërkombëtare, madje dhe me vendimin e fundit të Gjykatës kushtetuese, nuk është akt force, por akt dobësie! Nuk është akt trimërie, por disfate! Nuk është qeveri e fortë, një qeveri që kapet pas pushtetit kësisoj dhe pengon veprimtarinë e parlamentit me çdo mjet, por qeveri e dobët”, është shprehur ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!