U ekzekutuan me breshëri automatiku, mister autori dhe motivet për vrasjen e dyfishtë në Lezhë

schedule18:00 - 27 Prill, 2020

schedule 18:00 - 27 Prill, 2020

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Lezhë. Në fshatin Lalm i Vjetër janë gjetur pa shenja jete dy burra rreth të gjashtëdhjetave.

Gazetari i Abc News, Gjergj Figuri nga vendi i ngjarjes raporton se ende nuk dihet identiteti i autorit se dhe motivet se pse janë vrarë Kol Murrani dhe Preng Simoni.

Kol Murrani, një rapsod i njohur në Lezhë dhe Preng Simoni mësohet se kishin dalë herët në mëngjes për të shkuar tek shtëpitë e vjetra që kanë në këtë fshat. Në këtë zonë janë dëgjuar të shtëna armësh ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe një sasi e madhe gëzhojash.

Gazetari Figuri raporton se të dy burrat janë vrarë me breshëri automatiku rreth mesditës ndërsa shton se ata janë gjetur nga djali i njërit prej tyre.

Familjarët e Murranit dhe Simonit ishin shqetësuar pasi ata nuk po u përgjigjeshin në telefon. Ata dyshonin se mund të kishin pësuar ndonjë aksident, por nuk u kishte shkuar mendja që mund të kishte ndodhur diçka e tillë.

Forca të shumta policore ndodhen në vendin e ngjarjes ndërsa prezentë janë edhe disa qen për të nuhatur gjurmë të mundshme të autorit. Nuk dihen ende motivet e ngjarjes, pasi të dy viktimat nuk raportohet të kenë pasur probleme. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!