Valon Et’hemi është një nga lojtarët më të rëndësishmë të Kukësit. 22-vjeçari ka shënuar 4 gola këtë sezon dhe beson ende te titulli kampion, edhe pse Tirana është 9 pikë larg. Lojtari ofensiv ka dhënë një intervistë për faqen e klubit verilindor, aty ku flet për karantinën, mungesën e futbollit dhe këshillat që vijnë nga stafi teknik.
Si e kalon një ditë në karantinë Valon Et’hemi?
Është një situatë që nuk është se dikush mund ta ketë provuar më parë në nivele të tilla globale. Sigurisht që të gjithe jemi përpjekur të adaptohemi në raport me mundësitë që kemi. Stërvitem rregullisht individualisht, mundohem të pushoj mire. Penalizimin që na sjell karantina e kam shfrytëzuar për të shijuar më shumë familjen dhe tani po e shoh se sa shumë më paska munguar, duke qenë gjithë kohën të ndarë për shkak të angazhimeve profesionale.
Sa e vështirë është për një futbollist të qëndroje kaq kohë larg fushave?
Sigurisht që është shumë e vështirë, pasi jemi mësuar që gjithë kohën të jemi në fushë, posaçërisht në këtë periudhë të vitit kur ndeshjet kanë rëndësi të madhe në drejtim të vendosjes së kampionatit apo ambicieve të cilësdo skuadër.
A mendon se do të jetë e vështirë të rifitohet forma pas këtij pushimi të gjatë?
Patjetër që do të ketë vështirësi dhe jo vetëm për ne. Është problem global me të cilin do të ballafaqohen edhe skuadrat më të mëdha botërore. Por, kjo është situata dhe duhet ta pranojmë. Në kushte shtëpie jemi munduar të ruajmë nivelin fizik dhe masën trupore, që gjithsesi nuk mjafton për një sport kolektiv si futbolli. Duke qenë në kondicion të mirë, besoj se me një mini fazë përgatitore të arrimë të kthehemi aq sa do të mundemi në një nivel të dëshiruar që do na shërbente për realizimin e objektivave.
A keni pasur kontakte me stafin dhe ekipin?
Po, patjetër. Një grup ku komunikojmë vazhdimisht ka ekzistuar prej kohësh dhe tani aty vetëm është shtuar komunikimi për ndjekjen e programit dhe detyrave që na janë dhënë nga stafi teknik. Sigurisht që nuk mungojne as batutat e ngacmimet apo edhe biseda të zakonshme se si po e kalojmë këtë periudhë krize me COVID-19.
Çfarë këshillash ju jepen?
Gjëra standarde për sportistë apo futbollistë. Të kemi kujdes me jetë që bëjmë, të ruajmë masën trupore dhe kondicionale, kujdes për çka hamë dhe si flemë, sepse në këto kushte janë gjëra shumë me rëndësi për të mos dalë tërësisht nga ritmi i një sportisti. Pastaj sfida do të jetë të kthejmë punën në grup, që futbolli ashtu si sportet e tjera kolektive e kanë hendikepin më të madh në këtë kohë të krizës me koronavirusin, dhe karantinës së detyrueshme që po na imponohet. Uroj që gjithë kjo të përfundojë së shpejti, të sëmurët të shërohen dhe të gjithë së bashku tu kthehemi jetëve tona normale. /abcnews.al