Reja: Kam rinovuar, jam gati të ul rrogën. Panucci? Sa keq që s’erdha më parë

schedule17:35 - 24 Prill, 2020

schedule 17:35 - 24 Prill, 2020

Edoardo Reja ka firmosur rinovimin e kontratës me FSHF dhe do të vazhdojë të jetë pjesë e stolit të kombëtares kuqezi deri në vitin 2022. Trajneri italian e zbulon diçka të tillë në një lidhje direkte me “Fan Zone” në Supersport, aty ku flet edhe për ndryshimin pozitiv që ka ndodhur te kuqezinjtë dhe pengun që ka.

SITUATA – “Do kisha ardhur që nesër në Tiranë, por koronavirusi na prishi të gjitha planet. Do vij shumë shpejt në Shqipëri. Në Itali do lejohet të lëvizet në 4 maj dhe, sapo të më jepet mundësia, do vij në Tiranë, pasi kam edhe shumë mall. Nuk është një situatë shumë e mirë, por personalisht jam mirë. Por, shumë njerëz për shkak të kësaj do ngelen pa punë. Kam biseduar me Dukën, mendoj se në shtator do të mblidhemi sërish”.

KONTRATA – “Kam rinovuar dhe kam nënshkruar, nuk e di pse thuhet se unë nuk kam rinovuar. Duhej të bëja konferencën, por nuk u bë për shkak të koronavirusit. Duhet të isha aty të flisja edhe për grupin e Ligës së Kombeve, por virusi prishi gjithçka.

Kemi rinovuar deri në vitin 2022, i thashë Dukës që 4 vite janë shumë. Do diskutoj më shumë për kontratën dhe nuk dua të firmos një kontratë afatgjatë. Dua të jem më shumë dhe më shpesh në Shqipëri, për të ndjekur më shumë kampionatin shqiptar”.

 

Edoardo Reja

ULJA E PAGËS – “Jam i gatshëm të jap ndihmën time. Nëse është mundësia të jap një dorë, atëherë do mbështes ata që kanë problem për këtë. Nuk më pëlqen që është bërë publike, pasi doja të ishte në fshehtësi. Kam një akord me Kombëtaren dhe nëse ka dikush vështirësi, jam i gatshëm të heq dorë fare nga paga për t’i ardhur në ndihmë të prekurve”.

PANUCCI – “Nuk flas për kolegët. Por kam ndryshuar shumë nga Panucci. Më vjen keq që nuk kam ardhur më parë, pasi jemi duke bërë shumë mirë. Nuk më interesojnë ato që ka dhënë ai, njerëzit që e ndjekin futbollin e shikojnë dallimin”.

LIGA E KOMBEVE – “Nuk dua të bëj parashikime, objektivi është të përfundojmë në vendin e parë. Shqetësimi më i madh është se si do të kthehen lojtarët. Bjellorusia është një skuadër e fortë, duke ditur që kampionati aty vazhdon të luhet dhe do jenë më të përgatitur”.

KORONAVIRUSI – “Nuk kam frikë nga virusi, mezi po pres të kthehem në fushë. Nuk jetoj dot pa futboll, duke ditur që merrem me këtë që 16 vjeç. Kohën e kaloj duke qëndruar në kompjuter. Flas me Balajn që po stërvitet, por edhe me të tjerët. Djimisiti është më në formë se të gjithë, duke ditur se është stërvitur gjatë kësaj kohe”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!