Një punonjës policie në Korçë është lënduar me thikë. Burime për Abc News thonë se është kapur autori i dyshuar. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të detyrës.
Mësohet gjithashtu se punonjësi i policisë është jashtë rrezikut për jetën. Burime për Abc News, thonë se punonjësi i shërbimit me iniciale S.Z ka qenë jashtë shërbimit. Atij i është bërë pritë nga autori i dyshuar, i cili e ka goditur me mjete prerëse duke i shkaktuar plagë të lehta.
Burime konfidenciale thonë se shkak ka qenë një gjobë e vendosur nga punonjësi i policisë. Autori i dyshuar është arrestuar dhe është identifikuar si shtetasi Ilir Fama.
Njoftimi i policisë
Korçë
Plagosi me mjet prerës për shkak të detyrës efektivin e policisë, kapet në kohë rekord dhe arrestohet në flagrancë autori i dyshuar i ngjarjes.
Mesditën e sotme, pranë “Kullës Red” në Korçë, shtetasi I. F., 48 vjeç, dyshohet se për shkak të detyrës, ka plagosur me mjet prerës punonjësin e Komisariatit të Policisë Korçë S. Z., i cili ka qenë jashtë shërbimit dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Falë reagimit të shpejtë të Policisë dhe mirëorganizimit të veprimeve u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të ngjarjes, i cili aktualisht ndodhet në ambientet e Komisariatit. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të detyrës, pasi 48-vjeçari, para disa ditësh është konstatuar duke lëvizur si këmbësor pa autorizimin përkatës dhe është ndëshkuar me masë administrative, nga punonjësi i policisë.
Në cilësinë e provës materiale iu gjet e sekuestrua një mjet prerës (thikë).
Punonjësi i policisë S. Z., aktualisht po merr mjekim në Spitalin e Korçës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
/abcnews.al/