Antonio Rudiger nuk e harron vendlindjen e tij. Mbrojtësi i Chelsea është më origjinë nga Sierra Leone, ka lindur në Berlin dhe mbron ngjyrat e kombëtares gjermane prej majit të vitit 2014. 27-vjeçari është solidarizuar me trupat mjekësore, të cilët po luftojnë çdo ditë ndaj koronavirusit dhe po bëjnë të pamundurën për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish.
Rudiger ka vepruar menjëherë sapo ka dëgjuar që një spital i Berlinit po haste vështirësi në sigurimin e shërbimit të ushqimit për stafin e tij mjekësor. Siç citon sajti zyrtar i klubit londinez, qendërmbrojtësi ka marrë përsipër të kujdeset personalisht për këtë problem, duke vendosur t’u ofrojë shërbimin Katering infermierëve të spitalit Charite të kryeqytetit gjerman.
“Kontaktova me drejtuesit e spitalit para Pashkës dhe u kërkova se ku mund t’i ndihmoja. Më treguan se po hasnin vështirësi në organizimin e shërbimit Katering për personelin e infermiereve, pasi mensa ishte e mbyllur për momentin, njësoj si restorantet përreth”, thekson Rudiger, i cili ka vendosur ta zgjidhë këtë çështje për tre muajt e ardhshëm. /abcnews.al