Shqipëria do të ofrojë paketa të përbashkëta rajonale turistike për tregjet e treta. Kjo është risia e prezantuar nga Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë Panairit Ndërkombëtar që po mbahet këto ditë në Gjermani.
Ka takuar investitorë të rëndësishëm në Panairin Ndërkombëtar të Berlinit nga të cilët ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi mori garancinë se kanë në fokusin e punës së tyre të investojnë në Shqipëri në në hotele dhe resorte me 4 dhe 5 yje.
“Tregu shqiptar është një treg i rëndësishëm, por është një treg që duhet të jetë në bashkërendim me partnerët lokalë dhe për këtë arsye ne kemi pasur takime me ministra., institucione përgjegjës të politikave të turizmit në rajon dhe politika jonë e përbashkët për të krijuar paketa të përbashkëta, me partnerët serbë, malazezë, të Kosovës dhe të Maqedonisë dhe për të pasur mundësi pastaj që këto politika të përbashkëta shtetërore të konvertohen në politika biznesi të përbashkëta të tour operatorëve, është një nga risitë e këtij panairi”.
Ndërsa disa prej tour operatorëve më të mëdhenj në botë tashmë e kanë marrë vendimin për të hyrë edhe në Shqipëri. Megjithatë ministri Klosi theksoi se kapacitetet e hotelerisë vijojnë të jenë të cunguara dhe për këtë arsye Shqipëria akoma nuk arrin të plotësojë kërkesat e tregut.
“Nuk ndihem mirë aspak si Ministri Turizmi që një pjesë shumë të madhe të këtyre kërkesave ne detyrohemi t’i refuzojmë pasi kapacitetet e hotelerisë në Shqipëri vazhdojnë të jenë të cunguara dhe një numër shumë i madh i kërkesave që vijnë nga operatorët e mëdhenj refuzohen fatkeqësisht, ndaj në këtë aspekt ne bashkë me të gjithë grupet e tour operatorëve shqiptarë po përpiqemi që të paraqesim një Shqipëri ndryshe, një Shqipëri e cila ofron shumë herë më tepër potencial, ofron me tepër bukuri, ofron më tepër mundësi që të kemi një turizëm dhe jashtë sezonit”.
Shqipëria përfaqësohet me stendën e saj me një prani të gjerë tour operatorësh nga vendi. Panairi Ndërkombëtar i I.T.B. Berlinit, është panairi më i madh i turizmit në Europë dhe një ndër më të mëdhenjtë në botë. Ky panair vizitohet nga 180 mijë vizitorë biznesi nga afro 200 vende të botës. /abcnews.al