Të luash me një klub si Milani është një arritje e madhe dhe emocion magjik. Kuqezinjtë nuk janë më skuadra e viteve të arta dhe e dominimit në Evropë, por marka Milan nuk e humbet kurrë klasin e saj. Rade Krunic zhvilloi një sezon shumë të mirë me Empolin vjet dhe vera e transferoi në Milanello.
Mesfushori boshnjak nuk i mbajti emocionet në momentin e akordit final dhe e zbulon diçka të tillë në një prononcim në rrjetet sociale, teksa flet edhe për lojtarët që e kanë frymëzuar. “Qava kur firmosa kontratën me Milanin. Tifozët janë të jashtëzakonshëm dhe emocionohem gjithmonë kur luaj në San Siro.
Ata e vlerësojnë faktin që jap gjithçka nga vetja. Dëmtimi? Tani ndihem mirë, ka një muaj që nuk ndjej më dhimbje. Do të jem gati në momentin që do të rifillojmë të luajmë. Shpresoj të nisim stërvitjen në 4 maj dhe pastaj të rifillojë kampionati, mezi po pres. Sa i përket objektivave, ne jemi Milani.
Duhet të kemi ambicie të mëdha në Itali dhe Evropë, do japim gjithçka për t’ia dalë. Idhujt? Frymëzohem nga Andres Iniesta, ka qenë një nga futbollistët që kam pëlqyer më së shumti. E pëlqej shumë stilin e tij të lojës, ndërsa i vogël kisha idhuj Kaka dhe Ronaldinho”, thekson Krunic. /abcnews.al