Një yll i kinematografisë shqiptare sot nuk është më mes nesh. Shkodra i ka dhënë lamtumirën e fundit një prej figurave më të shquara të artit shqiptar Rikard Larja i cili ndërroi jetë një natë më parë, pasi vuante nga një sëmundje e rëndë.
Mes duartrokitjeve për veprën e madhe që la pas, miq të afërm dhe shumë qytetarë shkodranë nderuan aktorin e madh gjatë rrugës për në banesën e fundit në varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër, duke përmushur kështu edhe amanetin e tij. Numri i njerëzve që morën pjesë në këtë ceremoni qe shumë më i vogël nga ata që ndjenë dhimbje për ikjen e tij për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Por kjo gjë nuk i ka mbetur pishman familjarëve të ngushtë të tij. Bashkëshortja e tij Marjeta Ljarja gjeti forcë të flasë fjalët e fundit për shokun e saj të jetës, duke thënë se kjo ishte një përcjellje e thjeshtë por shumë shpirtërore.
Ajo falenderoi të gjithë ata që kanë shprehur ngushëllime për humbjen e aktorit të madh, duke nxjerrë në pah pjesën më të mirë të Rikardit.
“Nuk jemi pishman që është një përcjellje kaq e thjeshtë, por është shumë shpirtërore. Mesazhet pa fund që kanë ardhur kanë dalluar pjesën njerëzore, pjesën e mirë të Rikardit, jo thjesht Rikardin, pjesën e ekranit.
Ju falenderoj me shpirt që e thyet këtë vështirësi dhe jeni këtu me ne sot. Është shumë më e bukur dhe shumë më njerëzore kaq thjeshtë. Faleminderit të gjithëve”, tha mes lotësh Marjeta Ljarja./ abcnews.al