Sadiku kalon pa pasoja përplasjen e fortë me portierin e Espanjolit

schedule14:25 - 5 Mars, 2018

schedule 14:25 - 5 Mars, 2018

Armando Sadiku shpëtoi pa pasoja përplasjen e rrezikshme me portierin kundërshtar në ndeshjen e ligës spanjolle. Mediat raportojnë se sulmuesi i kombëtares gëzon shëndet të plotë dhe është i gatshëm për ndeshjen e radhës.

Ishte në fushë në ligën më të fortë të botës.Armando Sadiku, me numrin 7 në shpinë, provoi nivelin, por edhe ashpërsinë e kampionatit të Spanjës.Provoi fillimisht një pritje të ngrohtë qoftë edhe nga një tifoz i vetëm shqiptar në stadiumin e vet, ndërsa nuk mungoi nxitja dhe mbështjetja nga shokët e skuadrës.

Gjithsesi, ndeshja e parë si titullar nuk shkoi shumë mirë. U përplas dhunshëm në zonën kundërshtare me portierin e Espanjolit, Diego Lopez, dhe mbeti I shtrirë përtokë, i tronditur keqazi.

Mjekët vrapuan shpejt për të dy futbollistët, por sidomos për ish-portierin e Realit, i cili pati edhe gjendjen më të rrezikshme për jetën.Lopez u nxorr nga fusha me barrelë, por edhe Sadiku nuk u fut më në fushë për pjesën e dytë.Menjëherë klubi i Levantes bëri vizitën mjekësore për lojtarin.

Më pas, portali në internet, “Goal.com” njoftoi se sulmuesi i kombëtares shqiptare e kaloi pa pasoja të rënda përplasjen e fortë.Kjo media e cilësoi këtë lajm si shumë të mirë pas asaj që i ndodhi kapitenit të ndjerë të Fiorentinës, Astori.

Sa për Diego Lopezin, ai u transportua menjëherë në spital, ndërsa ankthi ishte i madh për fatin e tij.Portieri pësoi goditje të rëndë dhe traumë në kafkë, por për fat nuk pati efekte shumë negative.

Espanjoli njoftoi zyrtarisht në rrjetet sociale: Diego Lopez është jashtë rrezikut.

Kjo ishte tronditja më e madhe nga ndeshja e La Ligës, ku rezultati sikur kaloi pak në plan të dytë.

Gjithsesi, nuk ishte edhe aq i parëndësishëm për skuadrën e Sadikut dhe për tifozët. Edhe pse Levante kaloi në epërsi dhe u duk se po fitonte, Espanjoli goditi fare në fund, në minutën e 91-të duke marrë barazimin.

Kjo bëri që ekipi të mbetej shumë pranë rrezikut për të rënë nga kategoria, një pikë mbi vendin e tretë nga fundi, që të zbret në Segunda Divizion. Ai që e pagoi shtrenjtë ishte trajneri i Sadikut, Huan Lopez Munjiz, që u shkarkua nga detyra. Në vend të tij u prezantua menjëherë Pako Lopez, trajneri i ekipit të rezervave, me shpresë që të shpëtojë sezonin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!