Paolo Tarozzi ka mbajtur nga viti 1991-2008 postin e shefit të shtypit te Milani. 17 vite të mbushura me fitore legjendare, emocione të paharrueshme dhe futbollistë e trajnerë të mëdhenj. Italiani ka kujtime të shumta dhe ka dhënë një rrëfim interesant për Milannews.it.
Si trajnerin më të vështirë për të menaxhuar ka zgjedhur Fatih Terim. Turku drejtoi kuqezinjtë nga korriku i vitit 2001 deri në nëntorin e atij viti. “Perandori” ishte i dashuruar pas stilit ultraofensiv, por problemet në mbrojtje dhe disa rezultate negative ndikuan që aventura e tij me Milanin të zgjaste shumë pak.
“Fatih Terim ishte më i vështiri për t’u menaxhuar, pa pikë dyshimi. Ai është njëshi i njëshave. Ishim shumë miq me njëri-tjetrin dhe kishte gjithmonë me vete përkthyesin që kishte patur te Fiorentina. Fatih ishte një personazh unik. Te Milani kishte rregulla shumë specifike dhe duhej të paraqiteshe në një formë të caktuar në konferencë për shtyp.
Në vend që të vishej siç duhet, ai vinte në konferencë me një bluzë të thjeshtë, një kunj dhëmbësh në gojë dhe me shapka. Një ditë e pashë që po zbriste nga shkallët që të çojnë në dhomën e shtypit, të gjithë po e prisnin.
Sapo e pashë më atë veshje, mbylla derën dhe i thashë që nuk mund të dilte ashtu në konferencë për shtyp. Ai m’u përgjigj: ‘Paolo, unë jam Perandori dhe bëj atë që dua’. Unë vazhdova ta kundërshtoj dhe i tashë që këtu jemi te Milani, disa gjëra nuk lejohen dhe e ktheva mbrasht të ndërrohej”, deklaron Tarozzi. /abcnews.al