Rugani dhe Matuidi e fituan betejën me koronavirusin dhe dolën negativë në testet e fundit. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me Paulo Dybala, i cili po kalon një gjendje të mirë shëndetësore. Fantazisti argjentina ka dalë negativ në testin e parë dhe pret të njëjtën përgjigje në testin e dytë për t’u shëruar përfundimisht.
Fabio Paratici po punon për rinovimin me 26-vjeçarin, i cili këtë sezon ka shënuar 13 gola. Situata ka ndryshuar nga vera e kaluar, kohë kur bardhezinjtë e kishin nxjerrë lojtarin në merkato. Të gjithë janë bindur për cilësitë e Dybala dhe ky i fundit shihet si lideri i së ardhmes.
Kontrata aktuale përfundon në vitin 2022, por drejtori sportiv i Juventusit dëshiron ta zgjasë atë. Paratici po negocion prej ditësh me agjentin e Dybala dhe ka përgatitur një rinovim deri në vitin 2024, pra edhe për dy vite të tjera, duke konfirmuar besimin që kampionët e Italisë kanë te lojtari. /abcnews.al