Florian Marku nuk e lë pas dore stërvitjen gjatë kësaj periudhe izolimi. Boksieri shqiptar po qëndron në shtëpi, ku po kryen nga dy seanca stërvitore në ditë, ndërkohë që flet shpesh edhe me fansat e tij, të cilët në një lidhje “live” i kanë bërë pyetje të ndryshme. Marku nuk është kursyer në përgjigjet e tij.
Fillimisht ai ka sqaruar se për të nuk do të ketë më ndeshje në MMA. “Nuk do të bëj më ndeshje në kafaz, pasi kam operuar të dyja duart dhe kam pasur vështirësi të bëj mundje. Kisha shumë probleme me duart dhe nuk i mbyllja dot normalisht”, tregon Marku, i cili më pas thekson se njerëzit e mbështesin për shkak se ai jep maksimumin gjithmonë.
LEXO EDHE: “Më provokoi dhe pastaj vraponte të shpëtonte”, ditari i Florian Markut
Marku hapat e parë i ka nisur në Greqi, ndërkohë që zbulon edhe ëndrrën e madhe.“Në Greqi e kam nisur boksin dhe ka 16 vite që po e ushtroj këtë sport. Të them të vërtetën e dua atë vend, më pëlqen. Në çdo ndeshje që kam bërë atje, kurrë nuk e kam mohuar origjinën time. Jam krenar që jam shqiptar dhe flamurin tonë e kam pasur në krah, Kështu do vazhdoj deri kur të mbyll karrierën.
Atje e kam fituar çdo ndeshje, nuk kam arsye të kthehem. Nuk është se pak marrë ndonjë ofertë të mirë. Kam dëshirë shumë, që kur të fitoj një titull botëror, të kthehem në Shqipëri dhe të ndeshem në një stadium futbolli. Aty do doja ta mbroja titullin, ajo është ëndrra ime, ta mbroj titullin botëror në një stadium të mbushur me flamuj shqiptarë”, shton boksieri.
“Ëndrra ime ajo është, të dal kampion bote. Që kur isha i vogël, e nisa boksin në moshën 12-vjeçare. Ia kam përkushtuar jetën asaj gjëje. Veç boksit nuk di gjë tjetër, as jetë nate, as dalje. Jam i lumtur me jetën që e kam. Dashtë Zoti bëhem shqiptari i parë kampion bote. Shqipëria nuk e ka pasur kurrë një të tillë.
Kemi pasur Luan Krasniqin, që i shkoi shumë pranë. Ai ka qenë shqiptari më i suksesshëm në atë kohë. Po ashtu kemi edhe Robin Krasniqin, shumë i suksesshëm, ka fituar titullin kampion Europe. Por nuk kemi pasur kurrë një kampion bote. Dashtë Zoti i madh të bëhem unë dhe të nderoj vendin tonë, duke ia treguar flamurin shqiptar gjithë botës”.
LEXO EDHE: “Stop, stop”/ Dy shokë, goma makine dhe “show” nga Florian Marku
Më pas ai flet edhe për mbështetjen që i japin edhe njerëzit e tjetër të sportit dhe të botës së artit: “Të them të vërtetën unë i kam qejf të gjithë shqiptarët dhe e kam ndjerë mbështetjen, si me futbollistët tanë, me Granit Xhakën, vëllanë e tij Taulantin, Shkodran Mustafin, Eros Grezdën, Kaçen, Xherdan Shaqirin. Të gjithë më kanë përkrahur. Jo vetëm ata, por edhe artistët dhe çdo shqiptar tjetër anembanë botës. E duam njëri-tjetrin dhe duam ta shohim sa më lart njëri-tjetrin”.
Në lidhje me një ndeshje tjetër në Shqipëri, ose në Kosovë, Marku deklaron: “Kam qejf të kthehem në atdhe, në Kosovë dhe Shqipëri, vetëm kur të kem një titull të madh. Nuk dua të bëhem i bezdisshëm për publikun, të ndeshem atje sa për të fituar lek. As që më pëlqen të dal shumë nëpër emision. Të them të vërtetën më kanë kërkuar kanalet televizive për intervista, por nuk kam qejf të dal shumë dhe të bëhem i bezdisshëm për publikun”. /abcnews.al